Departamenti i Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve ka nisur prej mujash një kontroll ndaj bizneseve që dyshohet se vjedhin energjinë elektrike, ose tarifohen në kundërshtim me rregullat e ERE sipas llojit të aktivitetit.
Në kuadër të zbatimit të ligjit dhe luftës kundër informalitetit, strukturat e OSSH, bazuar mbi analizat e riskut, kanë ushtruar kontrolle te subjektet që paraqesin mundësi abuzimi me energjinë elektrike dhe ka rezultuar se ato kanë qenë në shkelje.
Sipas të dhënave nga Departamenti i Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve, gjatë periudhës 7-mujore, nga 12 mijë kontrollet e ushtruara janë arritur këto rezultate:
- 32 subjekte janë proceduar në Polici për shkelje të ligjit të energjisë, me akuzën “vjedhje të energjisë elektrike”;
- 42 subjekte të identifikuara, që tarifoheshin në kundërshtim me rregullat e ERE “sipas llojit të aktivitetit” ;
- 15 milionë kilovat të rikuperuara nga masat e marra, të cilat iu faturuan “abuzuesve”.
Operatori Sistemit të Shpërndarjes u bën apel klientëve/subjekteve të mos bien pre e skemave mashtruese të ndërhyrjes në matës apo furnizimit me linjë të dytë jashtë matjes, pasi do të përballen me forcën e ligjit pa asnjë kompromis.
“Kontrollet e OSSH-së kanë për qëllim disiplinimin e të gjithë abonentëve, duke respektuar ligjin, me synim trajtimin e barabartë dhe ndërgjegjësimin e klientëve se “vjedhja e energjisë” mund të jetë rrugë e shkurtër, por e gabuar, dhe me pasoja ligjore, ku askush nuk do të tolerohet”, njofton OSSH.



