Nga Habjon Hasani
Në vitin 2004 Ndini Tavani ishte një jurist në moshë të re. Ai ushtronte profesionin e avokatit ndërsa vendosi të konkuronte në shkollën e Magjistraturës, për t’i dhënë vetes mundësinë e një karriere në organet ligjzbatuese.
Pasi dha provimin, Ndini Tavani pa se rezultati i listës së fituesve e kishte nxjerrë atë 4 pikë më pak se fituesi i fundit në listë. Ishte djegur.
Ashtu i dëshpëruar duke parë të afishuar listën e fituesve në korridor, Ndini Tavani eci disa hapa më tej korridorit të shkollës dhe trokiti në derën e pedagogut Arben Rakipi.
-Jam Ndini Tavani, konkurent, del që kam humbur, por thjesht desha të interesohem për atë pyetjen e fundit të tezës, pyetje me zhvillim, a më është llogaritur?
-Patjetër, – i thotë pedagogu Rakipi, i cili hapi dosjen e Ndini Tavanit dhe i thotë: “Për këtë pyetje ke marrë pikët e plota”.
-Dakord, – i thotë Ndini Tavani. Kaq desha.
Më pas ashtu i mërzitur siç ishte Ndini Tavani përshëndet Rakipin dhe i drejtohet derës së zyrës së tij për të ikur, në momentin që uli bravën, ndalet sërish.
-Profesor, pa dashur të të bezdis , a i numërojmë dhe njëherë pikët?, – i lutet Ndini Tavani.
-Patjetër mor djalë, – ja kthen Rakipi, i cili më pas nisi numërimin manual të pikëve, 2-5-14-27-42 e me rradhë.
Kur Rakipi bëri mbledhjen e pikëve, i thotë:
X pikë ke fituar.
-Edhe njëherë professor, sa? , – e pyet Ndini Tavani.
-X pikë i thotë Rakipi duke i shprehur shifrën ekzakte të pikëve që kishte mbledhur në sy të tij.
– Profesor me gjithë respektin, por kjo shifër që ju sapo mblodhët tani është 7 pikë me e lartë se sa pikët që më janë njohur mua, – ja kthen Ndini Tavani. – Me rillogaritjen që ju bëtë unë dal fitues.
Rakipi u shtang. Pranoi gabimin.
Zgjidhja e kësaj ngatërrese erdhi me një vendim të ish-kryeprokurorit Dhori Sollaku i cili me një urdhër special shtoi një kuotë pranimi tepër atë vit, me qëllim që Ndini Tavani të merrte të drejtën e tij, pa e skualifikuar studentin tjetër që i kishte zënë vendin padrejtësisht Ndini Tavanit.
Duket sikur ky episod i Ndini Tavanit në vigjilje të karrierës së tij në magjistraturë, ishte si një lloj nishani për telashet burokratike që do e shoqëronin Ndini Tavanin dhe në dekadat e ardhshme.
Së fundmi, Ndini Tavani është bërë objekt i një debati të mprehtë juridik me SPAK-un dhe KLP-në, debat që nëse e gërrmon pak në brendi, nuk përmban thjesht fatin e karrierës së Ndini Tavanit, pasi në fakt rasti i tij vë në pikëpyetje gjithë sigurinë juridike të sistemit në tërësi.
Ndini Tavani konkuroi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) për vendet vakante të pranimit të prokurorëve të rinj në SPAK.
Ndini Tavani doli fitues me pikë në garën e shpallur në KLP, pasi kishte kaluar vettingun me sukses me një vendim 5-0 në Komisionin e Posaçëm të Apelimit. Vendimi i parë i dhënë 5-0 nga KPA-ja.
Ndonëse KLP-ja presupozohet një instancë eprore në hierarkinë e prokurorëve, një kleçkë e çuditshme qëndron si kërcënim ndaj integritetit të saj.
KLP-ja kur bën përzgjedhjen konsultohet dhe me një komision shtojcë i quajtur Komisioni i Verifikimit të Figurës (KVF).
Ky komision përbëhet dhe drejtohet kryesisht nga persona të zgjedhur nga shefi i SPAK-ut.
Pra është dhe SPAK-u që cakton profilin e kandidatëve që duan të bëhen prokurorë të SPAK-ut dhe jo vetëm KLP-ja.
Mirëpo ka dy probleme:
Së pari SPAK-ut me këtë komision i jepet e drejta të veprojë në konflikt interesi pasi nuk ka asnjë kuptim që emërtesat e SPAK-ut t’i diktojë vet SPAK-u, pasi nëse SPAK i cakton vet këto, atëherë pse shërben KLP-ja?
Së dyti, me komisionin e verifikimit të figurës, ndodh një paradoks që e përmbys gjithë sistemin. Sepse Ndini Tavani ka marrë certifikim nga organet e vettingut, njësoj si anëtarët e komisionit të SPAK-ut, pra organet e vettingut (KPK dhe KPA) janë organ madhor dhe në këtë pikë lind pyetja: Si mundet SPAK-u të shqyrtojë figurën e një prokurori që ka marrë certifikim nga i njëjti organ madhor (KPA) që ceritifikon dhe vet ata të SPAK-ut. (?!)
Që prej kohërave të lashta dhe historisë së njohur nga njerëzimi, sistemi më funksional që njeh hierarkia njerëzore është sistemi i hierarkisë ushtarake.
Kjo që ka ndodhur me Ndini Tavanin do ishte njësoj sikur në ushtri, një kolonel të gradonte ose të zhgradonte një kolonel tjetër, këtë s’mund ta bëjë dot koloneli, por Gjenerali ose Komanda e Lartë.
Në këtë rast “Gjenerali” do duhej të ishte kreu i KLP-së, por ky institucion pësoi një rokadë dramatike disa muaj më parë, kur kreu i saj Alfred Balla u shkarkua, ndërsa mbante pezull konfliktin për dosjen e Ndini Tavanit. Zëvendësuesja e Ballës veprimin e parë që ndërmori ishte djegia e Ndini Tavanit.
Hashtag.al është informuar se për disa javë, përfaqësues të ambasadave kanë debatuar dhe janë marrë me rastin e Alfred Ballës. Ai kërkoi ndihmë në ambasadën amerikane, madje në konsultat me ekspertët e ambasadës (të cilët kanë ndikim okult në SPAK) Alfred Balla u foli atyre për “grusht shteti” nga ana e SPAK-ut.
Por SPAK-u doli më i fortë, ekspertët e huaj kanë interesa më të forta politike në lojë se sa interesat e karrierës së Alfred Ballës.
Pasi Balla u shkarkua dhe Ndini Tavani u skualifikua nëpërmjet komisionit (KVF) okult të SPAK-ut, disa javë pas skualifikimit të tij, Ndini Tavani rezulton se ende nuk është njohur me arsyetimin e plotë të këtij komisionin okult.
Ky komision ka detyrë që vendimin e vet t’ja bëjë menjëherë të ditur Ndini Tavanit që ai ta ankimojë, por kanë kaluar javë e muaj dhe askush nuk e vret mendjen për këtë procedurë, duket sikur po i thonë Ndini Tavanit:
“Ligji jemi NE. Rri urtë.”
Por ndonëse kjo mund të jetë një padrejtësi akute sa i takon Ndini Tavanit si individ, shmangia e procedurës dhe paradokset e renditura më lartë, në fakt flasin për diçka shumë më të rëndësishme se sa thjesht karriera e Ndini Tavanit apo e Alfred Ballës, bëhet fjalë për sigurinë juridike të vendit.
Sepse në këtë pikë ne mund të shtrojmë një pyetje logjike:
Cili është dallimi ndërmjet organizimit hierarkik të një organizate mafioze dhe një organi shtetëror?
Ka vetëm një dallim.
Organizata mafioze i bën emërtesat jo mbi procedurë dhe meritokraci karriere, por mbi besnikërinë dhe devotshmërinë ndaj kupolës, ose Shefit.
Dhe po e tjerrim më tej pyetjen:
Nëse bie procedura dhe kriteri meritokracisë në emërtesat shtetërore, atëherë nga ndryshojnë këto institucione shtetërore me organizatat mafioze?
Nëse kriter është bensikëria ndaj një klani ose ndaj një kupole, atëherë çfarë ndryshimi ka me organizatat mafioze?
*marrë nga Hashtag.al



