LITA për Faxnews: Populli ndihet i braktisur nga deputetët, që janë bërë bodigardë të Berishës


Tensionet e sotme në sallën e Kuvendit me protagonistë deputetët e opozitës ishin tema e ditës në Fax News. Për të folur për këto zhvillime ishte drejtori i Faktor.al, Lavdrim Lita. Në një lidhje Skype për gazetaren Rovena Neziri, ai u ndal tek zhvillimet e fundit në seancën plenare.

Për Litën tensionet e sotme janë një sforcim i kotë i grupimit të Sali Berishës. Shfaqje të tilla nuk janë hera e parë që ndodhin në sallën e Kuvendit. Kemi parë edhe Ilir Metën të bëjë diçka të ngjashme me atë që bënë deputetët e opozitës sot. Por këto nuk i shërbejnë demokracisë sipas Litës.

Ata deputetë për të janë mbledhur për hallin e Non-Gratas së Sali Berishës dhe më tepër duken si Bodyguard të tij.

Lavdrim Lita: “Mendoj se është një sforcim i panevojshëm. Janë veprime të sforcuar për të rënë në sy, sepse duhe thënë që duhet të zmadhojnë imazhin e tyre për të thënë që çështja nuk është te Non-Grata e Berishës me të cilën janë bashkuar. Por në fakt çështja është aty vetëm tek Non-Grata. Ata janë bërë të gjithë Bodyguard të Berishës për të harruar Non-Gratan, duke mos e përmendur publikisht është pikërisht aty. Ata po fshehin kokën si struci dhe mendojnë që i ikin rrezikut. Mendojnë se rrëzimi i karrigeve, i vazove në parlament, këtë e ka bërë më përpara edhe Ilir Meta, i cili kërcente në parlament për të ndaluar ndryshimet kushtetuese të 2008. Pra kemi një situatë që ripërsëritet, siç është shkulja e mikrofonave apo gjuajtja e shishes gardës. Mendoj se janë shfaqje të sforcuara nga ana e grupimit të Gazment Bardhit apo Sali Berishës, ta quajmë siç ta duan. Nuk është në sinkron me hallet e qytetarëve. Ju e patë që jashtë kangjellave të sallës së Kuvendit ishin dy kategori sociale si pensionistët dhe minatorët të cilët kërkonin të drejtat e tyre, kërkonin më shumë vëmendje dhe kjo nuk ishte në sinkron me ç’ka ndodhte brenda Kuvendit ku deputetët ishin Bodyguard të Sali Berishës dhe i ndiznin atij dritën e telefonit që ai të fliste në FB, sepse Kuvendi reagoi duke fikur energjinë elektrike,edhe ajo në mënyrë të turpshme. Këto janë shfaqje jobashkëkohore. E kemi parë me Ilir Metën, e kemi parë edhe me PD-në zyrtare, e cila në vitet e kaluar ka goditur Ramën me vezë me bojë. Nuk është diçka që nuk e kemi parë. Por populli ndihet i braktisur nga deputetët, pasi deputetët merren vetëm me hallin e Sali Berishës në parlament”, tha Lita.

Latest articles

Related articles