Nga avatarët e Gen Z te barrikadat e Tiranës | ANALIZA

spot_img
Advertisements

Ark. Doriana Musai

Tuta të zeza, kapuçë, maska dhe syze të mëdha me xham pasqyrë. Një estetikë e njohur për Gen Z nga avatarët e Roblox dhe Fortnite, kultura streetwear, muzika drill dhe universi cyberpunk. Një gjuhë vizuale globale, ku anonimati, rebelimi dhe identiteti kolektiv ndërthuren me kulturën digjitale.

Por, ndryshe nga bota virtuale, ku avatarët përballen me njëri-tjetrin me fuqi të mbinatyrshme, në rrugët e Tiranës përballja zhvillohet mes trupave realë, me një pabarazi të thellë në forcë dhe mbrojtje.

Njëri mban syze pasqyrë dhe maskë lecke, tjetri skafandër antigaz dhe parzmore. I pari përdor si mjet force sanpietrinët e bulevardit të Brasinit, tjetri shkopinj gome, gaz lotsjellës, armatime dhe makineritë ujëhedhëse.

E megjithatë, trupat e të rinjve bëhen bashkë dhe, me forcën e krahëve shpesh ende të paformuar plotësisht, godasin me gurë forcat e rendit.

Dhe teksa ndiqen këmba-këmbës nga Policia e Shtetit, pasi kanë hedhur gurë drejt saj, goditen e dhunohen, duke pësuar edhe fraktura në kockat ende të pamaturuara plotësisht.

Por përndjekja nuk mbaron këtu. Pas policëve të uniformuar shfaqen edhe burra me veshje civile, me tuta të zeza si ato të studentëve, por një brez më të rritur, fizikisht më të fuqishëm dhe më kërcënues.

Sikur të sulmoheshin njëkohësisht nga dy pushtete të ndryshme dhune. Njëri me uniformë, me skafandra, parzmore dhe armatime; tjetri pa uniformë, me fytyra të maskuara dhe shkopinj në duar.

Studenti dhe gjimnazisti nuk përballen më vetëm me Policinë e Shtetit, por edhe me një forcë tjetër, identiteti dhe autoriteti i së cilës mbeten të paqartë.

Në këtë përballje, uniforma nuk është më i vetmi dallim mes atij që ushtron forcën dhe atij që e pëson. Edhe ata që ndjekin të rinjtë pa uniformë janë të maskuar, madje të veshur pothuajse njësoj me ta. Por trupat, mjetet dhe pushteti që kanë pas vetes janë krejt të ndryshëm.

Më 30 maj në Zvërnec, me punonjësit e maskuar të sigurisë private. Më 18 tetor, me civilët e maskuar që dolën nga selia e Partisë Socialiste me shkopinj në duar. Dy ngjarje që ngrenë të njëjtën pyetje: çfarë ndodh me monopolin e dhunës legjitime, siç e përkufizonte Max Weber-i, kur krahas policisë shfaqen edhe grupe të maskuara që ushtrojnë forcë ndaj qytetarëve?

Dhe pikërisht këtu merr kuptim imazhi i studentit me syze pasqyrë. Xhami i lakuar pasqyron në një kënd më të gjerë forcat që ka përballë, duke përfshirë edhe ato që i afrohen nga anët.

Ironikisht, ndërsa Portali i Pasqyrave i Ramës është një pasqyrë e sheshtë dhe e thyer, që tregon vetëm fragmente të realitetit, syzet e lakuara të studentit pasqyrojnë edhe atë që pushteti përpiqet të lërë jashtë pamjes: forcën që ushtron ndaj qytetarëve.

Ky është Portali i vërtetë i Pasqyrave Flamingo. Pushteti më në fund mund të shohë veten.

spot_img

Latest articles

Related articles