Media franceze ‘Le Figaro’: Koha që BE-ja t’i kërkojë llogari Ramës për korrupsionin

spot_img
Advertisements

Bashkimi Europian duhet të mbajë një qëndrim të qartë ndaj qeverisë së Edi Ramës dhe t’i kërkojë llogari për korrupsionin, nëse dëshiron që procesi i integrimit europian të Shqipërisë të jetë i besueshëm.

Ky është mesazhi i profesorit të shkencave politike në Sciences Po, Christian Lequesne, në një opinion të botuar në të përditshmen franceze Le Figaro.

Në shkrimin me titull “Përballë trazirave në Shqipëri, është koha që Bashkimi Europian të marrë përgjegjësitë e tij”, Lequesne argumenton se Brukseli duhet t’ia bëjë të qartë kryeministrit shqiptar se perspektiva e anëtarësimit nuk mund të shkëputet nga lufta kundër korrupsionit.

Sipas profesorit, procesi i zgjerimit nuk duhet të kufizohet vetëm në deklarata mbështetëse për integrimin e Shqipërisë, por duhet të shoqërohet me kërkesa konkrete ndaj qeverisë. Në këtë kuadër, ulja e korrupsionit duhet të jetë një nga kushtet kryesore në marrëdhënien mes Tiranës dhe Brukselit.

Duke analizuar situatën politike në Shqipëri, Lequesne shkruan se që prej 13 tetorit, Tirana është përfshirë nga trazira në rrugë, ku janë shënuar shkatërrime dhe djegie të ndërtesave e të infrastrukturës publike dhe private.

Megjithatë, autori nënvizon se përshkallëzimi nuk erdhi pa një periudhë të gjatë protestash paqësore. Sipas tij, përpara episodeve të dhunës, qytetarët kishin protestuar për rreth katër muaj, ndërsa në krye të lëvizjes u vunë të rinj nga qytetet, shpesh me arsim të lartë.

Lequesne e krahason situatën shqiptare edhe me protestat e zhvilluara në Francë, por vëren dallime mes dy konteksteve. Sipas tij, demonstratat franceze nisën nga gjimnazistë që kundërshtonin kushtet e këqija në disa shkolla publike, përpara se lëvizjes t’i bashkoheshin studentët.

Ai argumenton gjithashtu se në Francë e majta ekstreme shfrytëzoi pakënaqësinë e të rinjve në periferitë urbane, ndërsa në Shqipëri veçon faktin se protestat ruajtën karakterin paqësor për disa muaj, përpara përshkallëzimit të situatës.

Në përfundim, profesori i Sciences Po i kërkon Bashkimit Europian të mos qëndrojë në distancë nga zhvillimet në Shqipëri. Sipas tij, Brukseli duhet të përdorë peshën politike të procesit të integrimit për t’i kërkuar qeverisë së Ramës rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.

spot_img

Latest articles

Related articles