Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas konfliktit dje në Orikum mes dy biznesmenëve që ishte bërë shkak një pronë në buzë të detit, që pretendohej nga të dyja palët. Kreu i qeverisë shprehet se zona ku ndodhi konflikti do të shpronësohet për interes publik.
“Kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik pronën e konfliktit, të gjithë zonën e konfliktit banal dhe brutal dhe, sipas ligjit, ta kthejmë në aset publik për të gjithë, një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit, një park i gjallë ku do të mbillen dhe ruhen varietetet autoktone shqiptare dhe ato me përfaqësues të Mesdheut, si dhe do të ekspozohen të gjithë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri. Do ta kthejmë në një hapësirë që bashkon gjithë territorin, paqe nën hijen e pemës së paqes, pemës së bekuar të ullirit.
Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe, nga ana tjetër, një analizë e hartës pronësore në fjalë na ka bindur se jo vetëm t’i japim fund asaj historie, por t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë dhe menaxhojnë asete turistike.
Ata duhet të kuptojnë se nuk duhet ta cenojnë me qasje dhe sjellje të tyre lënduese atë që është një mision i madh kombëtar, misioni ynë i Shqipërisë turistike, që shkon shumë përtej transformimit fizik të vendit dhe u imponon aktorëve që të mendojnë e të sillen si ambasadorë të turizmit, me njëri-tjetrin, leje pastaj me Shqipërinë tonë dhe me vizitorët” deklaroi Edi Rama.



