Për të dytin vit radhazi, startup-et e shpallura përfituese të fondeve publike të akorduara përmes programeve të mbështetjes nga Startup Albania po rezultojnë skema korrupsioni, jo vetëm biznese që janë fiktive, që kalojnë fazat duke mos plotësuar kushtet, por edhe qoka politike. Shih dosjet e startupeve: Marigo, “Onemor App”, “CHAT PLATE”, “Autohost”, etj.
Në subjekt rezulton pronar edhe reperi Rigels Rajku, i njohur për publikun si Noizy.
Dhe duket se muzika nuk është e vetmja fushë ku Noizy ka ambicie. Sipas objektit të veprimtarisë së kompanisë, reperi tashmë shfaqet edhe në territorin e teknologjisë së informacionit: zhvillim, menaxhim dhe operim të platformave online dhe aplikacioneve mobile; shërbime teknologjike, përpunim të të dhënave, komunikim elektronik, marketing dixhital, ofrim shërbimesh IT, zhvillim software-i dhe shërbime të lidhura me teknologjinë e informacionit. Me pak fjalë, nga skena dhe muzika, edhe te software-i dhe startup-et. Një repertor biznesi që, të paktën në letër, rezulton dukshëm më i gjerë se ai muzikor.
Marrëdhënia e afërt publike e Noizy-t me kryeministrin Edi Rama nuk është e panjohur. Reperi është shfaqur me kreun e qeverisë edhe gjatë fushatave elektorale, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2025 përgatiti edhe këngën e fushatës së Partisë Socialiste.
Tashmë emri i tij shfaqet edhe në një subjekt që përfiton fonde publike nga skema e startup-eve, ndonëse data e regjistrimit të kompanisë, e vendosur përballë kriterit të Fazës 3, ngre pikëpyetje të drejtpërdrejta mbi kualifikimin.
Miqësia mes një artisti dhe një kryeministri mund të jetë çështje e tyre. Por kur një kompani në pronësi të artistit merr miliona lekë nga fondet publike dhe dokumentet ngrenë pikëpyetje mbi plotësimin e kritereve, çështja nuk është më private. Është me interes publik.
Dhe pikërisht këtu ministrja Delina Ibrahimaj dhe drejtuesi i Innovation4Albania, Arjan Ymeri, duhet të shpjegojnë se si “CHAT PLATE” u kualifikua në Fazën 3 pavarësisht datës së regjistrimit.



