Shqipëria po rritet, por varet nga një Europë e ngadaltë

spot_img
Advertisements

Rildo Ngjela

Parashikimi i Komisionit Europian për rritjen ekonomike ka një mesazh relativisht pozitiv për Shqipërinë, por vende vende edhe të parehatshëm për t’u dëgjuar. Ekonomia shqiptare pritet të ketë një rritje më të shpejtë se ajo e Bashkimit Europian. Madje do të jetë stabël në 3.3% deri në 2027. Ndërsa BE-ja pritet të rritet 1.1% dhe 1.4%, përkatësisht për vitet 2026 dhe 2027. Parashikimi për ne është se do të kemi një performancë të fortë. Por raporti ka edhe një mesazh të fshehur: Ne do të mbetemi thellësisht të varur nga një Europë që po ngadalësohet. Dhe kjo është kontradikta qendrore e ekonomisë shqiptare sot. Ne mund të kemi rritje më të lartë se ajo e BE-së, por nuk mund të funksionojmë dot jashtë gravitetit europian. Duke filluar nga tregëtia, turizmi, remitancat dhe deri tek investimet e huaja dhe procesi i integrimit, lemi të lidhur drejtpërdrejtë me performancën ekonomike europiane. Ndaj, kur Europa ngadalësohet, ne s’mund të mbetemi të paprekur.
Ashtu siç thotë edhe raporti, rritja e Shqipërisë mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, investimet, kredia, pagat dhe turizmi. Sigurisht që janë burime të rëndësishme të rritjes, por zbulojnë edhe kufijtë e modelit ekonomik që po aplikohet. Kjo do të thotë se Shqipëria ka rritje të mirë, por po vuan nga cilësia e rritjes. Po varet shumë nga konsumi, ndëtimi dhe turizmi, por shumë pak nga prodhimi. Patjetër që turizmi mbetet një motor i fortë i ekonomisë tonë, por nuk mund ta mbajë të gjithë ekonominë i vetëm. Nga turizmi po vijnë të ardhura, punësim dhe reklamë e mirë në planin ndërkombëtar, por nga ana tjetër në këtë formë rritet presioni mbi çmimet, importet, pasuritë e paluajtshme dhe punën sezonale. Nëse turizmi rritet më ngadalë, siç sugjeron raporti, vendi do të ketë nëvojë për motorë të tjerë për të mbajtur ekonominë në lëvizje të shpejtë. Kjo, sepse qëndrueshmëria ekonomike nuk mund të lihet në dorë të vizitorëve, restoranteve apo platformave të rezervimit.
Defiçiti tregëtar mbetet ende një dobësi e qartë. Ne po importojmë shumë dhe po eksportojmë pak. Turizmi e ndihmon uljen e këtij defiçiti, por nuk mund ta eleminojë dot problemin strukturor që ekziston. Nga ana tjetër, një faktor kyç janë edhe çmimet e energjisë që po rriten në të gjithë Europën. Kjo mund të sjellë në dobësim të kërkesës europiane. Pikërisht këtu mund të ndjehet edhe dobësia e një ekonomie që konsumon më shumë nga jashtë sesa prodhon për jashtë. Ekonomia e BE-së po përballet me tronditje të ripërtërira të tregut të energjisë, si rezultat i konfliktit në Lindjen e Mesme. Vetëm kjo mjafton për të nxitur inflacionin dhe ngadalësuar aktivitetin ekonomik. Për ne, kjo situatë përkthehet në produkte më të shtrenjta të importit, presion mbi çmimet, kërkesë më e ulët nga partnerët europianë, investitorë me vendime më të ngadalta dhe potencialisht çmime më të larta në sektorin e turizmit. Gjithashtu, dy partnerët ekonomikë më të rëndësishëm për ne, Greqia dhe Italia, po rriten më ngadalë. Kjo do të thotë që mjedisi ekonomik i fqinjwve nuk është dinamik, edhe pse i qëndrueshëm.
Krahasuar me fqinjët tanë, kandidatë për në BE, Shqipëria është relativisht më e qëndrueshme. Mali i Zi mbetet shumë i varur nga turizmi dhe hyrjet nga jashtë. Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina përballen me kërkesë të jashtme të dobët, presione të vazhdueshme në fushën e energjisë dhe plot kufizime strukturore. Nga ana tjetër, Serbia pritet të të ketë një rritje të lartë, por shumë shkurt. Kjo, vetëm për arsye të investimeve publike. Por, Serbia ka rrezik të lart të destabilitetit politik, rreziqe fiskale dhe të jashtme. Në këtë kontekst, Shqipëria është e pozicionuar shumë mirë. Por, të jesh në vendin e parë nuk është e mjaftueshme, sepse objektivi ynë duhet të jetë konvergjenca me Europën dhe jo thjesht me vendet e rajonit. Pika jonë e fortë është stabiliteti makroekonomik. Inflacioni mbetet relativisht i kontrolluar, borxhi publik ka rënë dhe rritja ekonomike është mbi mesataren e BE-së. Këto janë sinjale pozitive, por stabiliteti nuk është transformim. Mund të kemi rritje të PBB-së dhe prapë të humbasim fuqi punëtore nga emigrimi, ashtu siç po ndodh me Europën. Mund të thyejmë rekorde në turizëm dhe prapë të kemi eksporte të dobëta. Mund të kemi ndërtime të reja dhe prapë produktivitet të ulët. Mund të ketë disiplinë fiskale dhe prapë të mos ketë një bazë të fortë produktive.
Këto janë arsyet se pse raporti nuk duhet të përdoret për vetëpërgëzim politik. Ky raport duhet të lexohet si një paralajmërim me një mundësi brenda. Shqipëria ka ende rritje, vrull turistik, hapësirë fiskale dhe interes të investitorëve të huaj. Por ky moment duhet të përdoret për të ndryshuar strukturën e ekonomisë, përpara se goditja e radhës nga jashtë të na ekspozojë të njëjtat dobësi. Prioriteti i Shqipërisë duhet të jetë i qartë, i drejtuar kryesisht tek një ekonomi të bazuar në aftësi prodhuese, eksporte, teknologji dhe shërbime me vlerë të shtuar. Pra, ka nevojë për një strategji kombëtare, ku bujqësia të kalojë nga prodhimi i papërpunuar në përpunim, certifikim, krijimin e markës dhe kanaleve të eksportit. Ashtu si turizmi është kthyer në një ekonomi që prodhon gjatë gjithë vitit, edhe prodhimi vendas duhet të ndjekë të njëjtën rrugë.
Gjithashtu, tregu i punës kërkon vëmendje. Emigrimi dhe mungesa e fuqisë puntore duhet të trajtohet me prioritet. Nëse Shqipëria vazhdon humbet punëtorë, aftësi dhe familjet e reja, shifrat e rritjes humbin kuptimin me kalimin e kohës. Rritja e pagave është një sinjal pozitiv, por duhet të shoqërohet edhe me produktivitet më të lartë nga kompanitë dhe institucionet shtetërore. Përndryshe, do të kemi një ekonomi të shtrenjtë, por jo konkurruese. Përfundimi është i qartë: Shqipëria po rritet, por duhet rrisë shpejtësinë për të arritur transformimin e nevojshëm. Rritja 3.3% është pozitive, krahasuar me ngadalësinë e Bashkimit Europian, por sfida nuk është të rritemi më shpejt se Europa. Sfida është të bëhemi produktivë, konkurrues dhe mjaftueshmërisht elastikë për të vazhduar rritjen edhe kur Europa ngaldalëson.
Ky pra është testi i vërtetë. Rritja është e mirë. Por rritja pa transformim mbetet ngushëllim i përkohshëm. Ne nuk duhet të kënaqemi, sepse po levizim më shpejt se një Europë e ngadaltë. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar një ekonomi më rezistente ndaj goditjeve, të prodhojë dhe eksportojë më shumë, të mbajë më shumë njerëzit e saj në tregun vendas dhe të varet më pak nga dobësitë e të tjerëve.

spot_img

Latest articles

Related articles