nga Sebastian Zonja
Këtë të mërkurë u zhvillua në Tiranë një tubim që kërkonte t’i jepej fund asaj që po ndodh në Gaza. Tubime të këtilla ka pasur kudo nëpër botë, por ajo që e bëri interesant tubimin në kryeqytet ishte pjesëmarrja e aktivistes Greta Thanberg. Për ata që s’e njohin, vajza në fjalë ka ndërmarrë nisma të ndryshme kundër ngrohjes globale, ndërsa është sulmuar edhe si vegël e lëvizjeve të ndryshme. Është person jo pa impakt në qarqe të ndryshme aktivistësh.
U trishtova teksa dëgjoja një ekspert evropian që thoshte se kequshqyerja ka disa faza. Aktualisht, palestinezët e Gazës janë në fazën e katërt të kequshqyerjes, apo urisë. Nëse kalohet edhe në një fazë tjetër, në fazën e pestë, as ndihmat ushqimore nuk bëjnë më derman, pasi dëmtohet organizmi në mënyrë të pakthyeshme, sipas tij. Në këtë fazë duhet ndërhyrje mjekësore, pasi njerëzit mund të ikin nga kjo botë nga mbiushqyerja dhe kanë dëmtime të përhershme.
Mendoj se këdo e prek një situatë e këtillë. Është njerëzore.
Ndërsa shihja komente dhe statuse të ndryshme nëpër rrjetet sociale për këtë tubim në Tiranë, veçova disa që m’u dukën pikantë nga mënyra se si e ndërtonin argumentin:
Për shembull, njëri thoshte se është i djathtë dhe nuk proteston me komunistët. Në tubim mori fjalën Klodi Leka nga Lëvizja “Bashkë” që mbajti një fjalim për t’u duartrokitur. Se pse këto të djathtët ja lënë kauzat komunistëve dhe pastaj qahen, s’e kam kuptuar!!!
Një grua thoshte se aty kishte aktivistë për geit dhe ajo nuk ishte gei, ndaj nuk merrte pjesë aty.
Njëri ishte konservator dhe nuk përkrahte linjat radikale liberale.
Një tjetër ishte mysliman dhe nuk dilte në krahë me globalistët se i prishej abdesi.
Njëri ishte i krishterë dhe nuk mbështeste radikalët islamikë, edhe pse Vatikani dhe Patriarkana kanë reaguar ashpër për atë që po ndodh.
Kishte edhe nga ata që ishin te linja e mendimit se në Tiranë ka pllakosur një konspiracion i madh, ndaj elitat e Davosit kanë sjellë këtu marionetën e tyre Greta Thanberg.
Siç ka një mijë arsye për të mos dalë në ndonjë tubim, ka mijëra të tjera me dal. Por si i gjindet filli kësaj pune?
Na ka treguar diçka regjisori Udi Alen. Me atë ironinë e vet ai ngre një pyetje filozofike, ndër më të rëndësishmet në filozofi.
“Dikur, gjatë Luftës së Dytë Botërore, një nazist shkon të gjejë hebrenjtë e fshehur në një lagje. Diku, në papafingo, një prift kish fshehur një familje hebreje. Troket ushtari dhe e sheh priftin me vladon dhe e pyet, duke e ditur se prifti thotë gjithnjë të vërtetën – A ka hebrenj brenda?”
Çfarë duhet të thotë prifti?, na pyet Udi Alen.
Duke qenë se e vërteta është një nga parimet e epërme të feve abrahamike, prifti duhet të thotë të vërtetën. Nëse ai thotë të vërtetën, ajo familje fatkeqe do bjerë në duart e nazistëve.
E mora këtë pyetje dhe shkova të pyes profesorin tim të filozofisë, një nga njerëzit më të dashur për mua dhe njohësit e thellë të rrymës filozofike të idealizmit gjerman, Hysamedin Feraj. Buzëqeshi.
“Seb, kjo është krejt e thjeshtë”, më tha. Për me ngatërru punimet e Imanuel Kantit kanë ngritur lloj e lloj kurthesh të ngjashme. Përgjigjja është se dinjiteti njerëzor qëndron më sipër. Sigurisht që prifti do gënjejë dhe do shpëtojë familjen e hebrenjve.
I mblodha argumentet e mësipërme të atyre që thoshin se nuk dalin nëpër protesta për të thënë një fjalë për dinjitetin njerëzor, sepse po të ngjashmit e tyre s’do dilnin nëse do kishte tubim për të liruar pengjet izraelite apo për solidaritet me familjet e viktimave izraelite të 7 tetorit.
Pse ka rëndësi?
Sepse edhe çështjet e rëndësishme kombëtare janë bërë pjesë e diskutimeve ideologjike – e majtë, e djathtë, e qendrës, konservatore, liberale.
Për shembull, rritja e rrogave të mësuesve a është çështje e majtë a e djathtë?
Po emigracioni masiv?
Çelja e kopshteve dhe shkollave të reja a është çështje e majtë a e djathtë?
Ushtria dhe sovraniteti janë çështje e majtë a e djathtë?
Bashkimi Kombëtar a është çështje e majtë a e djathtë?
Ka disa çështje apo kauza që nuk qëndrojnë në këtë dialektikë pedante.