“Ose deti është i shtrembër, ose ne s’vozisim drejt!” – Koment

spot_img
Advertisements

nga Gjergji Nika, Vlorë

Shqipëria po fundoset! Për shkak të kapitenëve të paaftë, të pafrymëzuar, joprofesionistë, meskinë e të shkëputur nga shoqëria, fundi duket se do të jetë i hidhur! Shqipëria ka vuajtur nga mungesa e lidershipit.

Jo se nuk kemi pasur liderë, por sepse liderët tanë, më tepër se për popullin e Shqipërinë kanë menduar për vete dhe enturazhin e tyre të ngushtë politik e ekonomik!

Në këto 35 vite, kur duhet të kishte shpërthime shpirtërore, morale dhe aty ku duhet të shkëlqente virtyti, shpërthen “vrima e zezë” e manipulueshmërisë, dashurisë për partinë mbi Shqipërinë, cinizmit dhe moskokëçarjes ndaj përditshmërisë së qytetarëve.

Nëpër televizione promovohen figura të dyshimta dhe ruhet establishmenti i tranzicionit tonë të tejzgjatur, duke fshehur të vërtetën tragjike të një shteti, i cili po shembet çdo ditë e më shumë.

Të një shteti ku qytetarët largohen masivisht jo vetëm për shkak të pamundësive ekonomike e mungesës së shpresës, por edhe për shkak të neveritjes nga ky sistem politik i kalbur, i cili edhe kur bën rotacion, thjesht mban veten në shpinë të qytetarëve!

Mungesa e lidershipit të drejtë politik na ka sjellë deri në atë pikë, që të numërojmë humbjet e luftës në kohë paqeje!

Shqiptarët janë lënë aq shumë në hallin e tyre sa një shi i imët mbyt qytetet, një zjarr djeg qindra hektarë derisa shuhet vetë, turizmi nuk ka plan, kryetarët e partive u imponojnë partive të tyre t’i bien fyellit në të njëjtën vrimë pa pasur kauza, ose me të vetmen kauzë- pasurimin galopant, krimi përfshin çdo centimetër katror të Shqipërisë dhe udhëheqësit politikë, ndërsa mbështetësit piqen në diell apo ngrijnë në të ftohtë, bëjnë pazare pushteti, pastrimi paraje e ndërtime kullash pa kriter.

Për të gjitha sa më sipër dhe shumë të tjera, nevojitet urgjentisht një LIDER!

Latest articles

Related articles