Dosja e Call-Center| Zbulohet “koka” që siguronte internetin, gabimi që e nxori zbuluar!

spot_img
Advertisements

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me operacionin e zhvilluar mbrëmjen e së hënës në kryeqytet, ku Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me homologët austriakë arritën që të çmontonin tre call-centera të cilët operonin në vendin tonë dhe prej vitesh mashtronin qytetarët europianë duke u zhvatur miliona euro.

Sipas dosjes hetimore, informacioni i parë mbi këtë rrjet është dorëzuar nga autoritetet austriake më 25 nëntor 2024, pas dyshimeve për një skemë të gjerë mashtrimi ndaj qytetarëve në Vienë dhe qytete të tjera të Austrisë, ku dëmi financiar dyshohet se ka tejkaluar shifrën 30 milionë euro gjatë periudhës 2023–2024.

Hetimet zbulojnë se “viktimat” janë joshur përmes reklamave të rreme që shfaqnin persona të njohur publikë, duke i orientuar drejt platformave mashtruese si “ALPHASCRYPTO”, “CAPITALMARKET24” dhe “GOLDCAPITAL24”. Pasi futeshin në këto faqe, qytetarët kontaktoheshin nga operatorë që paraqiteshin si “këshilltarë financiarë”, të cilët i bindnin të kryenin investime të supozuara.

Në vijim, përmes programit AnyDesk, operatorët merrnin kontroll nga distanca të kompjuterëve të viktimave, duke realizuar transferime të parave pa dijeninë e tyre. Sipas dosjes, kjo metodë ka qenë një nga shtyllat kryesore të skemës së mashtrimit, ndërsa përdorimi i VPN dhe Proxy ka shërbyer për të maskuar origjinën e IP-ve.

Megjithatë, autoritetet austriake kanë arritur të identifikojnë dy IP shqiptare, të cilat kanë çuar më pas në thellimin e hetimeve në bashkëpunim me Prokuroria e Tiranës.

Nga komunikimet zyrtare me kompani interneti në Tiranë, hetuesit kanë zbuluar përdoruesit fundorë të këtyre IP-ve, të cilët rezultojnë të kenë qenë aktivë të paktën që prej nëntorit 2023.

Kjo ka forcuar dyshimet se rrjeti i call-centerave ka funksionuar për një periudhë të gjatë, minimalisht trevjeçare, duke operuar në mënyrë të strukturuar në kryeqytet.

Në qendër të hetimeve rezulton shtetasi Eduard Dalla, 48 vjeç, i arrestuar gjatë operacionit të ndërmarrë ditën e hënë, 13 prill.

Sipas dosjes, numri i tij i telefonit ishte i lidhur me një kontratë interneti të regjistruar në emër të një personi fiktiv, “Jose Santos”, i përdorur për të humbur gjurmët e aktivitetit. Hetuesit kanë zbuluar se kontrata ishte lidhur nga punonjëse marketingu në terren, ndërsa sinjali i internetit përfundonte në ambientet ku zhvillohej aktiviteti i call-centerave.

Përmes përgjimeve, është dokumentuar gjithashtu se Dalla ka kërkuar lidhjen e të paktën shtatë kontratave të tjera interneti, përmes kompanive fiktive “Sonet shpk” dhe “Sonet Solution”. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetës mes rrjetit të call-centerave dhe ofruesve të internetit, me qëllim vështirësimin e gjurmimit të IP-ve dhe identifikimit të vendndodhjes reale të aktivitetit.

spot_img

Latest articles

Related articles