Call Centeri pirat i zhvati 30 mln euro europianëve, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra “kapën” nga 4 mln euro secili

spot_img
Advertisements

Pesë prej të arrestuarve në kuadër të operacionit kundër disa Call Center-ave në Tiranë janë paraqitur sot për t’u njohur me masat e sigurisë, ndërsa hetimet hedhin dritë mbi një skemë mashtrimi me përmasa ndërkombëtare.

Sipas dosjes hetimore, rasti është referuar nga autoritetet austriake që në vitin 2024, pas evidentimit të mashtrimit të mijëra qytetarëve në Austri, me një dëm të përgjithshëm që dyshohet të kalojë 30 milionë euro.

Hetimet tregojnë se aktiviteti i paligjshëm është zhvilluar përmes platformave online ALPHASCRYPTO, CAPITALMARKET24 dhe GOLDCAPITAL24, të cilat dyshohet se kanë mashtruar qytetarë në Vjenë dhe qytete të tjera, gjatë periudhës qershor 2023 deri në korrik 2024.

Sipas skemës, viktimat josheheshin përmes reklamave të rreme, shpesh të lidhura me figura të njohura publike, dhe më pas bindeshin të investonin në platforma që në realitet nuk ekzistonin. Paratë e transferuara kalonin në një rrjet të strukturuar për pastrim parash.

Nga hetimet rezulton se një pjesë e konsiderueshme e fondeve, rreth 8 milionë dollarë, është konvertuar në kriptovaluta. Autoritetet austriake kanë identifikuar si përfitues fundorë të këtyre fondeve dy shtetas shqiptarë.

Sipas të dhënave, Mateo Hoxha dyshohet të ketë përfituar rreth 3.2 milionë dollarë, ndërsa Tedi Agastra rreth 4.8 milionë dollarë nga kjo skemë mashtrimi.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.

spot_img

Latest articles

Related articles