Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi se do t’i pezullojë nga puna të gjithë punonjësit me kontratë të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në mbarë botën dhe se do t’i tërheqë mijëra pjesëtarë të stafit që punojnë jashtë vendit.
“Të premten, më 7 shkurt, të gjithë punonjësit me kontratë të USAID-it do të pezullohen në gjithë botën”, thuhet në një njoftim në uebsajtin e USAID-it, i cili ka qenë jashtë funksionit prej fundjavës së kaluar.
Forca punëtore e USAID numëron më shumë se 10.000 persona. Rreth dy e treta e stafit shërben jashtë vendit, sipas Shërbimit Kërkimor të Kongresit (CRS). Agjencia ka më shumë se 60 misione kombëtare dhe rajonale.
USAID-i është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999, dhe prej atëherë ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.
Përgjatë 25 vjetëve, USAID-i ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Për stafin e USAID jashtë vendit, Uashingtoni është duke e përgatitur një plan në koordinim me Departamentin e Shtetit dhe do t’i mbulojë shpenzimet e udhëtimit të personelit për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara brenda 30 ditësh, thuhet në njoftim.
Udhëheqësia e USAID-it do të shqyrtojë bërjen e përjashtimeve bazuar në vështirësitë personale ose shqetësimet mbi lëvizshmërinë dhe sigurinë, sipas njoftimit.
Në njoftim u theksua se personeli thelbësor që pritet ta vazhdojë punën do të njoftohet nga udhëheqësia e agjencisë deri të enjten, 6 shkurt.
“Faleminderit për shërbimin tuaj”, u tha në fund të njoftimit.
Presidenti Trump synon ta bashkojë USAID-in, agjencinë kryesore humanitare të Uashingtonit që ndan miliarda dollarë ndihma jashtë vendit, me Departamentin e Shtetit, si dhe ta shpërbëjë atë si ent të pavarur.
Të hënën, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u tha gazetarëve se ai tani është administrator në detyrë i USAID-it, duke theksuar se kjo agjenci “nuk përgjigjet fare” dhe duke e akuzuar stafin atje se është “i papërgatitur për t’iu përgjigjur pyetjeve të thjeshta” në lidhje me programet.
Ai e njoftoi Kongresin në një letër për riorganizimin e agjencisë, duke thënë se disa pjesë të USAID-it mund t’i bashkohen Departamentit të Shtetit, ndërsa pjesët e mbetur mund të zhbëhen.
Por, meqenëse Kongresi e themeloi USAID-in si një institucion të pavarur brenda degës ekzekutive, presidenti nuk e ka autoritetin ta shfuqizojë atë pa autorizimin e Kongresit, sipas një raporti të CRS-së këtë javë.
Qindra programe të USAID-it, që ofrojnë ndihmë jetike në mbarë botën, u ndalën pasi Trumpi, më 20 janar, urdhëroi ngrirjen e shumicës së ndihmës amerikane, duke thënë se ai dëshiron të sigurohet që ajo të jetë në përputhje me politikën e tij të jashtme.
Ai i ngarkoi miliarderin Elon Musk, i cili pretendoi se USAID-i është organizatë “kriminale”, me detyrën për ta tkurrur agjencinë.