Neuroshkenca e Hakmarrjes

Neuroshkenca e hakmarrjes tregon se ka njerëz që kënaqen kur ndëshkojnë ata që në një moment të caktuar i kanë refuzuar.
Sipas neuroshkencës së hakmarrjes, ka njerëz që, në vend që ta hedhin pas krahëve një zhgënjim, refuzim apo një padrejtësie të supozuar, e nxisin urrejtjen deri në atë pikë sa të planifikojnë një kundërsulm. Në vend që ta mbajnë nën kontroll zemërimin, ta racionalizojnë ose të adoptojnë strategji të përshtatshme për ta menaxhuar atë, ata e lejojnë atë të bëhet kronik.
Të flasësh për hakmarrjen, siç e dimë mirë, është jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe është pothuajse e pamundur të mos shkelësh aspektet etike, morale, madje edhe ligjore. Disa veprime, natyrisht, kanë nevojë për reagim, por do të jetë në dorën e gjykatave të zbatojnë drejtësinë dhe asnjëherë nuk duhet t`i drejtohemi dhunës. Në këtë artikull, megjithatë, ne do të thellohemi në aspektet neurologjike dhe psikologjike të çështjes.
Le të marrim një shembull. Dashamirët e romaneve kriminale pa dyshim që e mbajnë mend emrin e Ted Bundy, një prej vrasësve serialë më të pamëshirshëm në histori. Ende nuk dihet numri i saktë i viktimave të tij. Pas një sërë intervistash, testesh psikologjike dhe neurologjike, u zbulua se ai kishte disa personalitete psikopatike.
Bundy vrau një numër të madh vajzash të reja, i shtyrë nga dëshira për hakmarrje e ushqyer gjatë viteve. Në origjinë (faktori nxitës i sjelljes së tij) ka qenë braktisja nga partnerja. Ky refuzim ushqeu tek ai një zemërim të pamatshëm dhe gati të egër që e shtyu të zgjidhte viktima me të njëjtat karakteristika fizike si vajza që e kishte lënë.
Hakmarrja, siç shihet, tek disa individë vepron si një mekanizëm agresiv dhe brutal. Neuroshkencëtarët kanë identifikuar mekanizmat dhe fushat që rregullojnë këtë shtysë. Kjo është një temë sa interesante aq edhe informuese. Le të shohim se çfarë ka për të thënë neuroshkenca për hakmarrjejen.

«Lamtumirë mirësi, lamtumirë humanitet, lamtumirë mirënjohje… lamtumirë gjithë atyre ndjenjave që zbusin zemrën. Unë e zëvendësova Providencën (kujdes i ushtruar nga Zoti mbi universin) për të dëmshpërblyer të mirat… Zoti më bëftë ministër të hakmarrjes për të ndëshkuar të këqijtë.”
– Konti i Monte Kristo, Alexandre Dumas-
Neuroshkenca e Hakmarrjes
Dhe nëse na ofendojnë, a nuk duhet të hakmerremi? Ai luante Shekspirin në një nga dramat e tij. Të gjithë ne, të paktën një herë në jetën tonë, kemi përjetuar të njëjtën ndjenjë. Kur dikush preket nga një fyerje ose një veprim i keq i dikujt, Është pothuajse e pashmangshme që ai të mos ushqejë dëshirën për t`u hakmarrë ndaj së keqes që tjetri i ka bërë. Të ndjesh dhe madje të përjetosh një dëshirë të tillë është e natyrshme neurologjikisht dhe emocionalisht.
Megjithatë, shumica prej nesh tregohen më racional ndaj situatave të tilla dhe pas një periudhe reflektimi dhe menaxhimit adekuat të emocioneve, vijmë në vete dhe vazhdojmë përpara. Ky mekanizëm i fundit, që rregullon dhe shuan dëshirën për hakmarrje, ndërmjetësohet nga korteksi cerebral.
Pikërisht në të, dhe veçanërisht në zonën dorsolaterale paraballore (DLPFC) aktivizohen mekanizmat e vetëkontrollit. Por…çfarë ndodh me njerëzit me personalitet hakmarrës?
Plaga e refuzimit dhe e padrejtësisë
Në vitin 2018, Universiteti i Gjenevës kreu një studim interesant. Falë tij, neuroshkenca e hakmarrjes ka prova më të forta që mund të na tregojnë aspekte befasuese.
• Hakmarrja zakonisht i atribuohet reagimeve të tilla si tërbimi dhe zemërimi. Por çfarë e shkakton shfaqjen e këtyre emocioneve? Në shumicën e rasteve, shkaktari për sjellje hakmarrëse duket të jetë refuzimi.
• Refuzimi është një ndjenjë e ethshme që përjetohet nga një person kur ndahet nga diçka, që deri para pak kohësh, ishte shumë e rëndësishme për të. Mund të bëhet fjalë për partnerin, punën, familjen ose një grup miqsh dhe kjo do të interpretohet si e padrejtë apo një tradhti nga shoqëria.
Cila është shtysa që çon në hakmarrje?
Dr. Olga Klimecki-Lenz, një studiuese në Qendrën Zvicerane për Shkenca Afektive (CISA), ka identifikuar zonën në të cilën janë përqendruar, si të thuash, impulset hakmarrëse.
• Struktura që aktivizon ndjenjën e zemërimit është amigdala.
• Falë një sërë ekzaminimesh instrumentale, si rezonanca magnetike, është parë eksperimentalisht se si aktivizohet kjo strukturë e vogël kur dikush pëson një fyerje, një ofendim, një tradhti dhe dhimbjen e refuzimit.
• Mund të thuhet se në këto situata gjëja e parë që përjetohet është frika.
• Ndjenja e sigurisë dhe besimit e lidhur me diçka apo dikë zhduket menjëherë dhe ia lë vendin frikës dhe ankthit. Si pasojë shfaqet zemërimi dhe dëshira për t`u hakmarrë në një mënyrë a tjetrën.
• Ndër të tjera, ndëshkimi, është i lidhur me sistemin e dëmshpërblimit. Domethënë, personi ndjen kënaqësi duke marrë hak ose duke iu kundërpërgjigjur menjëherë fyerjes.
• Nga ana tjetër, lobi temporal i sipërm aktivizohet gjithashtu së bashku me amigdalën. Të dyja zonat rrisin nevojën për veprim hakmarrës. Aspekti më interesant, megjithatë, vjen menjëherë pas.
• Pasi të dyja strukturat janë aktivizuar, zhvillohet një aktivitet i dukshëm I korteksit dorsolateral paraballor. Për cilin shkak? Për të qetësuar intensitetin e emocioneve dhe nxitjen e vetëkontrollit.
Ky informacion i fundit shfaq mundësinë interesante të reduktimit të akteve të dhunës dhe hakmarrjes përmes stimulimit magnetik. Siç e dimë mirë, megjithatë, sjelljet agresive si ato të vrasësit serial Ted Bundy varen nga faktorë të shumtë që nuk mund të shpjegohen gjithmonë me mekanizma neurobiologjikë.
Ajo që e bën interesante neuroshkencën e hakmarrjes
Nga pikëpamja kulturore, por edhe psikologjike, hakmarrja është një dimension shumë interesant. Në një vepër mjeshtërore si “Konti i Monte Kristos”, Alexandre Dumas na tregon se hakmarrja është një pjatë që shërbehet më së miri e ftohtë dhe që mund të duhen vite për ta përfunduar.
Megjithatë, nuk duhet anashkaluar një aspekt themelor: njerëzit që e adaptojnë këtë sjellje dhe e zbatojnë atë rregullisht tregojnë një aspekt të zbuluar nga shkencëtarë si Kevin M. Carlsmith, Timothy D. ëilson dhe Daniel T. Gilbert që është: mungesa e ndjeshmërisë.
Nëse pyesim veten se pse disa profile njerëzish ndjejnë pothuajse vazhdimisht nevojën për t’u hakmarrë nëse kanë pësuar një padrejtësi të pretenduar, psikologjia thotë se ata pothuajse kanë të njëjtin edentikit: janë narcisist, të pasigurt, të paaftë për të menaxhuar emocionet, të paaftë për të falur, dhe aspak të ndjeshëm.
Së fundmi, ia vlen të reflektojmë për një ide jashtëzakonisht të thjeshtë: të gjithë e kemi përjetuar dëshirën për t`u hakmarrë. Vendimi për të ruajtur qetësinë dhe për të qenë të kujdesshëm është pikërisht ajo që na bën njerëzor, ajo që na fisnikëron.
“Njerëzit e dobët hakmerren. Njerëzit e fortë falin. Të zgjuarit injorojnë.”
-Albert Einstein-

Përgatiti:S.Tresa

Latest articles

Related articles