Situata është, në radhë të parë, rezultat i talljes, përbuzjes dhe nëpërkëmbjes së shoqërisë sonë nga kasta politike. Nëse do të kishte alternativa politike të vërteta, me programe për shoqërinë dhe për shtresa të gjera interesash, ato do ta bënin artikulimin dhe do të kishim shpresa reale e lëvizje më të buta.
Por tani partitë gjoja opozitare i eliminuan edhe kryetarët e tyre dhe i bënë vend kryekryetarit, Berishës, i cili gjoja drejton edhe parti që historikisht kanë qenë me PS-në, në qeveri të përbashkëta e me deputetë të dhuruar. Pra, tallja institucionale me popullin opozitar është përtej çdo përfytyrimi.
Kështu, gjërat kanë kaluar siç duken. Të rinjtë po luftojnë dëshpërimisht për nderin, krenarinë dhe dinjitetin e tyre e të prindërve të tyre. Nuk kanë shpresë se kjo dyshe pushteti, Rama-Berisha, do t’u zgjidhë gjë. Këtë e tregon qëndrimi që mbajtën ndaj deputetëve të PD-së.
Është lëvizje për dinjitet e jo për karrierë politike. Kjo do t’i japë dorë pushtetit zyrtar t’i bëjë hesapet po me zyrtarë të përhershëm të krahut tjetër, duke e shfrytëzuar protestën si sebep për të justifikuar dështimet e tyre në qeverisje e sidomos për të nxjerrë nga plani i parë i vëmendjes kombëtare e ndërkombëtare qeveritarët e superkorruptuar.
Është edhe lëvizje kundër profesoratit, pavarësisht se zhvillohet në rrugë. Ata shohin se në fakultete nuk ka zgjedhje, por pazare. Përgjegjësit e departamenteve, dekanët, rektorët janë të tillë falë pazareve e korrupsionit, ndërhyrjes politike. Ata e shohin se përçdo vit harxhohen miliona euro për mobilime zyrash e benza të viteve të fundit, por nuk kanë biblioteka specialiteti, nuk kanë laboratorë e pajisje laboratorike, nuk kanë mësimdhënie, në fund të fundit. Në shkolla të mesme krejt eksellentë, për të fituar bursa nga bashkia e qeveria janë vetëm fëmijët e qeveritarëve; janë hequr mbështetjet ekonomike për studentët në nevojë. Dhe më cinikja: sistemi i punësimit. Njomëzakë që nuk kanë mbaruar ende një baçelor, emërohen në pozita kyçe sepse dallohen për raportime politike e për propagandë partiake.



