Shefi i MI5: 100 shkencëtarë britanikë punuan për projekte të spiunazhit kinez

spot_img
Advertisements

Të paktën 100 akademikë me lidhje me Mbretërinë e Bashkuar mund të kenë qenë pa dashje pjesë e projekteve të paguara nga inteligjenca kineze për të zhvilluar teknologjinë e spiunazhit në Pekin, kanë paralajmëruar shërbimet e sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar.

MI5 u ka bërë thirrje akademikëve të shqyrtojnë çdo bashkëpunim aktual apo të ardhshëm me Institutin e Kërkimeve të Teknologjisë së Përgjithshme të Kinës (CGTRI) – i cili ndonjëherë përkthehet si Akademia Kineze e Teknologjisë së Përgjithshme (CAGT).

Instituti kinez i kërkimeve ka “lidhje shumë të forta” me shërbimin e inteligjencës së Pekinit, deklaroi MI5 në një njoftim paralajmërues të këtij lloji, të lëshuar të mërkurën.

Shërbimet e inteligjencës paralajmëruan se studiuesit mund të jenë duke shkelur ligjet e sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar lidhur me asistimin ose përfitimin nga fuqi të huaja, nëse vazhdojnë të bashkëpunojnë me organizatën kineze.

Shërbimi britanik i inteligjencës deklaroi se qëllimi kryesor i CGTRI-së është financimi i kërkimeve që përmirësojnë aftësitë teknike të Kinës për spiunazh.

MI5 sugjeroi se akademikët e lidhur me Mbretërinë e Bashkuar, të cilët kanë punuar në këto projekte që konsiderohen si kërcënim për sigurinë kombëtare, mund të mos kenë qenë në dijeni për burimin e financimit.

Hulumtimet e financuara nga CGTRI përfshinin tema si inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, sistemet e komunikimit të fshehtë dhe steganografia – praktika e fshehjes së mesazheve.

Ministri i Sigurisë, Dan Jarvis, deklaroi: “Ky njoftim nxjerr në pah përpjekjet e inteligjencës kineze për të përfituar në mënyrë të fshehtë nga ekspertiza dhe hulumtimet e akademikëve tanë, duke cenuar kështu sigurinë tonë kombëtare dhe atë të aleatëve tanë.”

“U kam shkruar të gjithë rektorëve të universiteteve për t’u siguruar që ata të mbështesin stafin e tyre në ndërprerjen e të gjitha marrëveshjeve me këtë kompani, duke parandaluar përfitime të mëtejshme për shërbimet e inteligjencës kineze dhe duke garantuar përputhshmërinë me Aktin e Sigurisë Kombëtare.”

“Partneritetet ndërkombëtare janë jetike për të siguruar që universitetet dhe institutet tona kërkimore të vazhdojnë të lulëzojnë, por ne do të ndërmarrim masa të fuqishme për t’u mbrojtur nga kërcënimet me të cilat përballemi.

“Kjo nënkupton mbështetjen e policisë dhe shërbimeve tona të inteligjencës për të zbuluar dhe ndërprerë veprimtaritë e dëmshme, duke përdorur forcën e plotë të ligjit.”

spot_img

Latest articles

Related articles