Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Golemit, një territor që prej kohësh është shoqëruar me konflikte të forta dhe shpeshherë të dhunshme për çështjet e pronësisë. Këtë herë, në qendër të akuzave nuk janë vetëm palët në konflikt, por edhe vetë efektivët e Policisë së Shtetit.
Në pamjet e bëra publike në media, efektivë të Komisariatit të Kavajës kanë ndërhyrë ditën e sotme në banesën e një të moshuare, ku dyshohet se ndaj saj është ushtruar dhunë verbale dhe fizike. Në pamjet e publikuara e moshuara shfaqet e shtrirë përtokë, në gjendje të rënduar shëndetësore, madje sipas avokatit dhe në gjendje të fikëti.
Në vend që të garantohej mbrojtja e saj, në video duket se efektivët e policisë e tërheqin dhe e ngrejnë me forcë, me qëllim shoqërimin drejt komisariatit.



