Policia e Shtetit duhet të reflektojë seriozisht për të përmirësuar sigurinë rrugore dhe për të parandaluar ngjarje të rënda si ajo e Durrësit. Por jo, nuk reflekton. Pezullohen nga detyra drejtori i Policisë së Durrësit, zëvendësdrejtori për Rendin dhe shefi i Qarkullimit Rrugor. A është kjo vërtet zgjidhja?
Nuk njoh asnjë nga drejtuesit e pezulluar, por pse duhet të mbajë përgjegjësi drejtori i Policisë së Durrësit kur, sipas praktikës së ndjekur, patrullat janë hequr nga rrugët interurbane me vendim nga lart? Në këto kushte, “kamikazët” në timon lëvizin me shpejtësi ekstreme dhe thonë hapur se nuk i ndalon policia, sepse “ka dalë urdhri i ri”.
Si do t’i bëhej testi i alkoolit autorit të tragjedisë nga policia e Durrësit? Me teknologji? Sepse kështu u deklarua para tre ditësh nga ministri i Brendshëm në Facebook. Ndërkohë, pas një ngjarjeje kaq të rëndë, ende nuk ka një reagim prej tij. Pse nuk reagon ministri? Ja çfarë shkruante vetëm pak ditë më parë.
“Vërtet mund të mos ketë policë nëpër rrugë, por mjetet inteligjente dhe dronët janë në të gjitha akset nacionale e ato urbane për të kapur shoferët që shkelin rregullat… Syrit të pagabueshëm të teknologjisë nuk i shpëtoni dot.”
Këto janë fjalët e ministrit. Pra, pranohet që nuk ka polici në terren. Po testin e alkoolit si do t’ua bëni drejtuesve të mjeteve, z. ministër? Me “frymën e shenjtë”?
Ja ku jemi sot, një i dehur në timon në Durrës i mori jetën dy fëmijëve të pafajshëm. Nëse do të kishte një patrullë policie në terren, ndoshta do të ndalohej, do t’i bëhej testi i alkoolit dhe kjo tragjedi mund të ishte parandaluar.
Është thellësisht e gabuar që një ngjarje kaq e rëndë të përdoret për të larguar drejtues policie, vetëm sepse nuk janë të pëlqyer apo janë emëruar nga paraardhësit. Në këtë mënyrë, shpallet fajtore kupola lokale për të mbuluar dështimin e sistemit. Është njësoj sikur t’i heqësh frenat makinës me urdhër nga lart dhe më pas të fajësosh atë që vendos gomat pse makina doli nga rruga. Si mund të kërkoni llogari nga drejtuesit e Policisë së Durrësit për sigurinë rrugore, kur vetë u keni hequr mjetin kryesor, praninë e policisë në terren?
Kur pushteti e trajton sigurinë si çështje imazhi dhe jo si prani reale në terren, aksidentet nuk janë më fatkeqësi, por pasoja të paralajmëruara. Vazhdoni me pezullime se sigurinë, sipas kësaj logjike, e rregullon fati dhe jo shteti. Mjafton të shihen shifrat, 21 viktima nga 10 prilli deri më sot.
Duhet të ketë patrullime në çdo rrugë, lagje e zonë, çdo patrullë dhe çdo komisariat duhet të jetë i pajisur me teste alkooli në terren. Droni nuk e nuhat dot një drejtues të dehur, as nuk ndalon të rinjtë që lëvizin pa patentë nëpër rrugica. Policia duhet të jetë me dorë të hekurt në këto raste, sidomos në zonat më të thella. Policëve duhet t’u jepet kurajë dhe mbështetje për të bërë detyrën, jo presion që i demoralizon. Mjafton të kujtojmë videon e shpërndarë në rrjete sociale, ku një shofer i thoshte policit se “nuk ke të drejtë të më ndalosh”, sepse, sipas tij, kishte urdhër nga drejtori i përgjithshëm që makinat të mos ndalohen.
Teoria që është kthyer në praktikë të përditshme, kontrolli i territorit kryesisht me pajisje teknologjike duke tërhequr shërbimet parandaluese dhe investiguese në terren ka krijuar boshllëqe të rrezikshme. Këto boshllëqe po shfrytëzohen nga persona me precedentë kriminalë për të kryer shkelje dhe veprimtari të paligjshme, me pasoja deri në humbje jete, si në rastin e Durrësit. Drejtori i Përgjithshëm duhet të rishikojë seriozisht metodologjinë e drejtimit dhe menaxhimit të strukturave policore.
Kjo masakër nuk mbyllet me pezullime. Duhet hetuar në thelb, pse i ishte pezulluar patenta autorit, sa ishte afati i pezullimit, kush e vendosi atë masë në vitin 2022 dhe a ishte proporcional me rrezikshmërinë e tij? A ishte e drejtë që pezullimi të ishte vetëm një muaj, kur ndoshta duhej të ishte shumë më i gjatë, madje përfundimtar? Ata që e kanë toleruar këtë “kamikaz” duhet të mbajnë përgjegjësi po aq sa ai që mori jetën e dy fëmijëve të pafajshëm.



