Këta djem dhe vajza që kanë punuar këto dhjetë vjet nëpër call center, ku kanë shkuar?
Disa në Gjermani,
disa në Shqipëri,
dhe ca diku tjetër.
Mund të jenë 10 mijë, 20 mijë, ose kush e di sa—që prej kësaj pune për më shumë se dhjetë vjet.
Kur ti bën një punë, pëson edhe deformim profesional. Për shembull, nëse ke qenë hetues apo auditues, bëhesh gjithmonë i dyshimtë; nëse je inxhinier, sheh gjithmonë defekte; nëse je mjek, sheh gjithmonë sëmundje. Edhe për profesionet e ligjshme, ky deformim shpesh është diçka e mirë.
Po për “profesionet” e paligjshme? Shpesh thuhet se ky apo kjo nuk duhet ta afrohesh dhe as t’i japësh përgjegjësi, sepse ka qenë spaciator/tutor/skifter (pra, me tone të tipit “telefonata” dhe “lojëra” mashtruese).
Pavarësisht faktit që këta njerëz i gjejmë drejtora, deputetë dhe kryebashkiakë—sepse kështu është linja e partisë—prapë se prapë mendoj se të gjithë e dimë: është gabim. Dhe jo vetëm që është gabim, por edhe që ne, në një mënyrë a në një tjetër, e pranojmë nga e keqja.
Prandaj, sapo t’u krijohet mundësia dhe forca sovrane të marrë fund këtë punë, do t’i largojë me hir ose pa hir.
Çështja është: çfarë bëhen këta njerëz pasi merren me call center?
Djem dhe vajza që dinë të flasin bukur, dinë gjuhë të huaja dhe shumica e tyre kanë pasur shkollim. Shpesh janë pa “dosje” zyrtare të qarta për punët e tyre—nga sa duket, dosjet mbaheshin më shumë si mjet presioni për mitmarrje sesa për të vendosur ligjin në vend.
Këto dhjetëra mijëra persona do t’i kemi në zyra institucionale publike e private: nga kadastra te bankat, nga telefonia te operatorët e shpërndarjes elektrike. Disa mund të bëhen policë, e nuk është çudi që një pjesë e tyre të jenë patronazhiste, majtas apo djathtas. Madje jam i bindur se shumë prej tyre janë pjesë e “partive” të sapolindura—që kërkojnë rend e ligj, me çdo kusht, vetëm kur u leverdis.
Nuk do ishte aspak çudi që në Shqipërinë e vitit 2040 një ish call centerist—nga ata që kanë djegur pensionin e xhaxhi Helmutit—ta gjejmë edhe anëtar të Gjykatës së Lartë. Çdo gjë është e mundur, për sa kohë mendohet se call-centerat e paligjshme kanë mbi dhjetë vjet që punojnë dhe punësojnë dhjetëra mijëra të rinj.
Pra, këta—në një pjesë të mirë—do të menaxhojnë të ardhmen tonë.
Ajo që nuk flitet dhe që do të doja shumë të diskutohej, është kjo: si do t’i riedukojmë dhe si do t’i ri-integrojmë në shoqëri këta dhjetëra mijëra të rinj e të reja që kanë mbi dhjetë vjet që fitojnë rrogë (të majme, por gjithsesi rroga) duke rrënuar ekonomikisht italianë, gjermanë, austriakë, francezë… Çfarë do t’i pengonte të bënin të njëjtën gjë edhe te ne shqiptarët?
Në përfundim
Unë mendoj se call-centerat vazhdojnë punën, dhe bashkë me punën e tyre vazhdojnë të degjenerojnë moralin e të rinjve dhe të rejave tona, duke u dhënë “patentën” e mashtruesit. Këta të rinj e të reja janë në të vërtetë viktima, por viktima që, siç e thashë, do të dinë të bëjnë keq—dhe këtë të keqe të tyre do ta vuajmë në shqiptarë të tjerë.
Prandaj duhet që dosjet për call-centerat të bëhen publike. Jo për t’i dënuar pa kuptim ata që janë të rinj e të reja, por për të parandaluar krime të tjera dhe, mbi të gjitha, për t’i shpëtuar të ardhmes.
Nga Admir Malaj



