Fitim Zekthi
Ka një gjë shumë shqetësuese në mënyrën se si i bëjnë ligjet apo reformat dy partitë tona të mëdha. Ka shumë mundësi që këtu të gjendet edhe arsyeja kryesore pse ne kemi dështime kaq të rënda, gati në çdo fushë. Vazhdimisht dy partitë rreken të bëjnë një ligj ose një reformë për të rregulluar një gjendje ekzistuese. Kjo është një mendësi që vjen plotësisht nga komunizmi. Dy partitë e mëdha as e kanë kuptuar ndonjëherë se çfarë përfaqëson një ligj, një rregull, një kod apo vetë kushtetuta.
Komunizmi si ideologji shkatërron çdo normë tradicionale, çdo burim morali që vjen nga mësimet e Zotit dhe rreket t’i ofrojë njeriut “lirinë” ta bëjë ai vetë fatin e tij, të bëjë botën që do dhe si e do ai. Komunizmi në këtë kuptim thjesht është një mënyrë për të çliruar lakmitë dhe epshet dhe për t’i legjitimuar ato. Për pasojë komunizmi, dhe të gjitha ideologjitë e ngjashme apo format e ndryshme të tij prodhuan mynxyra në botë. Ato edhe sot prodhojnë probleme gjigande shoqërore me dhimbje dhe vuajtje të mëdha për miliona njerëz kudo.
Në lidhje me kuptimin mbi ligjin, kësisoj, komunizmi mendon se ligji duhet të rregullojë një gjendje, është një “pemë e gjallë” që i përgjigjet nevojës së shoqërisë (në fakt vendimmarrësve). Pra, kemi zaptim pronash atëherë bëjmë legalizim, kemi pirje hashashi bëjmë legalizim të hashashit, kemi homoseksualitet legjitimojmë martesat ‘gay’, kemi dëshira për ‘transgender’ bëjmë ligj që ua mundëson me taksat e njerëzve, kemi që duan të adoptojnë fëmijë atëherë ua lejojmë atyre me ligj, kemi të sëmurë terminalë bëjmë eutanazi etj. Pra komunizmi ligjin e sheh si mjet që kënaq dëshira, epshe, orekse.
Konservatorja, e djathta ligjin e sheh si një rregull që tregon se si duhet të jetë një gjendje, se si duhet të jetë diçka. E djathta e sheh ligjin si një mjet që ruan një kornizë morale dhe një perspektivë të “gjërave të përhershme”. E djathta nuk i pranon martesat ‘gay’ sepse kërkon të tregojë si duhet të jetë martesa, njeriu dhe shoqëria. E djathta nuk legjitimon operacionet ‘transgender’ me para nga taksat sepse kërkon të tregojë si duhet të jetë shoqëria, e djathta nuk lejon eutanazinë, nuk legjitimon grabitjen e pronës etj, sepse rreket të ruajë dhe të tregojë çfarë janë “gjërat e përhershme” dhe të shenjta, çfarë është morali dhe ideali.
Këto kohë po diskutohen ndryshime të numrit të deputetëve në parlament, po diskutohen ndryshime kushtetuese për të krijuar një dhomë të re të parlamentit, dhomën e lartë, senatin, po diskutohet ndarja e re administrative, reforma e re zgjedhore dhe sidomos ndërhyrjet në reformën në drejtësi.
Partia Socialiste mund të jetë e legjitimuar ta shohë ligjin si diçka që duhet të rregullojë një gjendje ekzistuese për shkak se është një parti e majtë, e cila nuk sheh ndonjë burim metafizik apo ‘transcendental’ të ligjit dhe e quan ligjin një mjet për të rregulluar një gjendje ekzistuese. Kësisoj kryeministri Rama është në një farë mënyre i legjitimuar të mendojë se parlamenti duhet shkurtuar sepse është më mirë për një vend të vogël, se na duhet një dhomë e lartë parlamenti apo se na duhet kjo apo ajo ndarje për ta bërë ndarjen e re dhe sidomos të reformojmë SPAK dhe GJKKO që të zgjidhë problemin që kemi. Një qasje e tillë nuk duket e keqe në shikim të parë por në fakt ajo nuk udhëhiqet nga ndonjë vlerë në vetvete, nga ndonjë moral apo ide politike por vetëm nga gjetja e një zgjidhjeje për situatën. Duke qenë e zhveshur nga morali dhe ideja politike ajo i hap rrugën zgjidhjes së keqe ose përdorimit të zgjidhjes për qëllime të këqija personale.
Partia Demokratike është krejtësisht jashtë logjikës duke qenë se ajo pretendon se është e djathtë. Një parti e djathtë ka në kokë një ide, një model, ka një burim transcendental për vlerat dhe nuk bën thjesht nisur nga nevoja për të rregulluar një gjendje duke e zhveshur këtë nevojë nga vlerat që thamë. PD që nga ligji 7501, tek ligji për mbrojtjen nga diskriminimi, tek ligji për zgjedhjet çdo katër vite, tek ndryshimet e shëmtuara kushtetuese të vitit 2008 etj, ka bërë vazhdimisht të njëjtën gjë. E ka parë ligjin si diçka që duhet të rregullojë një gjendje. Edhe tani PD po bën të njëjtën gjë. Edhe 35 vite pas rënies së komunizmit PD vazhdon të udhëhiqet nga kuptimi komunist mbi çfarë është dhe pse bëhet një ligj. Kur ligji bëhet për të rregulluar një gjendje dhe jo për të treguar se si duhet të jetë një gjendje ai as e rregullon gjendjen përkundrazi e prish edhe më keq siç ka ndodhur. Në këtë kuptim edhe ndarja administrative, edhe ulja e numrit të deputetëve, edhe ngritja e supozuar e senatit dhe sidomos ndryshimi i SPAK dhe GJKKO do t’i bëjnë gjërat më keq dhe jo më mirë.
Dy partitë tona të mëdha e kanë në çdo qelizë të ngulur komunizmin dhe ndjekjen e epshit dhe oreksit. E majta dhe e djathta në thelb dallojnë tek mënyra se si e shohin shoqërinë, moralin dhe ligjin. Kjo është pikërisht gjëja kryesore që duhet të rregullojë PD. Nëse rregullohet kjo çdo gjë tjetër rregullohet vetvetiu.



