Yoon Suk Yeol i Koresë së Jugut është bërë presidenti i parë në detyrë i vendit që është arrestuar, duke i dhënë fund një përplasjeje disajavore mes hetuesve dhe sigurimit të tij personal.
Yoon, përpjekja e dështuar e të cilit për të vendosur ligjin ushtarak e zhyti vendin në trazira, po hetohet me akuzat për kryengritje.
Megjithatë, teknikisht ai është ende presidenti, pasi një gjykatë kushtetuese duhet të vendosë nëse shkarkimi i tij është i vlefshëm.
Në një video-mesazh të regjistruar para se të shoqërohej në selinë e agjencisë kundër korrupsionit, Yoon u shpreh se “sundimi i ligjit është shembur plotësisht në këtë vend”.
Yoon, presidenti i parë në detyrë i vendit që u kap, ishte izoluar në rezidencën Hannam-dong në kryeqytetin, Seul, për javë të tëra, ndërsa u zotua të luftojë deri në fund përpjekjet për ta rrëzuar atë.
Ai e ka justifikuar shpalljen e tij të gjendjes ushtarake më 3 dhjetor si një akt legjitim qeverisjeje kundër një opozite “antishtetërore” që përdor shumicën e saj legjislative për të penguar axhendën e tij.
Zyra e Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë tha se Yoon u soll në paraburgim rreth pesë orë pasi hetuesit mbërritën në kompleksin presidencial dhe rreth tre orë pasi ata hynë me sukses në rezidencë, në përpjekjen e tyre të dytë për ta arrestuar atë për vendosjen e ligjit ushtarak.