Ilir Kulla: Vlora Hyseni ka bërë tradhti të shumëfishtë

spot_img
Advertisements

Eksperti i sigurisë Ilir Kulla ka bërë deklarata të forta për situatën e krijuar në Shërbimin Informativ të Shtetit pas çështjes së ish-drejtoreshës Vlora Hyseni. I ftuar në emisionin “Dekalog” në DritareTV, Kulla tha se dëmi i shkaktuar nuk kufizohet vetëm te një person, por prek besueshmërinë dhe funksionimin e gjithë sistemit të inteligjencës.

Sipas Kullës, problemi më i madh lidhet me humbjen e besimit, mbi të cilin, siç shpjegoi ai, ndërtohet e gjithë puna e një shërbimi sekret.

“Shërbimi është çështje besimi. Unë kam besim te ti dhe t’i them informacionet. Ti ke besim tek unë dhe m’i thua informacionet. Pra, çfarë bën shërbimi? Shërbimi tregton informacione”, tha Kulla.

Duke komentuar të dhënat e bëra publike nga dosja, Kulla u shpreh prerë për drejtimin e SHISH-it nga Hyseni.

“Ajo ka tradhtuar detyrën e vet. Ka tradhtuar shefat e vet. Ka tradhtuar betimin që ka bërë”, deklaroi ai, ndërsa më tej e përmblodhi situatën me fjalët: “Ka shkatërruar shërbimin.”

Kulla ngriti shqetësimin edhe për pasojat që çështja mund të ketë në raportet e SHISH-it me shërbimet partnere. Sipas tij, në një situatë të tillë partnerët duhet të verifikojnë informacionet, dokumentet dhe operacionet e shkëmbyera për të përcaktuar nëse ka pasur dëme. Kjo ishte një vlerësim i Kullës gjatë intervistës.

“Çdo shërbim partner, i vogël apo i madh, çdo informator, çdo institucion, para se të flasë do t’i kujtohet ajo frazë”, tha ai, duke argumentuar se humbja e besimit mund të dëmtojë drejtpërdrejt funksionimin e shërbimit.

Eksperti paralajmëroi gjithashtu se hetimi mund të mos përfundojë me ato që janë bërë publike deri tani. “Unë jam i sigurt që, pas gjërave që do dalin, do t’i shtohen akuzat”, u shpreh Kulla. I pyetur nëse priste zhvillime të tjera, ai shtoi: “Do të ketë dhe çudira të tjera.”

Në fund, Kulla kërkoi një reformim më të gjerë të sistemit të inteligjencës, duke argumentuar se çështja nuk mund të trajtohet vetëm si problem i SHISH-it apo i ish-drejtueses së tij. Sipas tij, qeveria duhet të rishikojë mënyrën e funksionimit, koordinimit dhe kontrollit të strukturave të inteligjencës.

spot_img

Latest articles

Related articles