Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, pranoi se një pjesë e oficerëve të policisë kriminale janë papërgatitur.
Në Komisionin e Sigurisë ai kërkoi financim për të blerë mbi 700 mjete të reja, ndërsa pranoi se efektivët nuk kanë marrë orët shtesë për shkak të keqmenaxhimit financiar.
Gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë, ai tha se makinat me qira që përdor policia kanë kosto shumë të lartë financiare ndërsa një pjesë e madhe e flotës ëështë e dëmtuar.
“Automjetet me qira, kanë një kosto shumë të madhe. Dhe një pjesë e madhe janë amortizuar. Do ishte më mirë të kishim mjetet tona. Na duhen rreth 700 automjete. Duhet parë me prioritet shtesa për investimin e automjeteve që duhen blerë. 50% e flotës së automjeteve është e amortizuar. Duhen blerë automjetet se kemi kosto të mëdha me makinat me qira.” – tha Proda.
Ndërsa për masakrën e Shkodrës ku u vranë katër persona, ai tha se shumë shpejt do ketë rezultate.
“Unë jam qytetar vetë dhe e vlerësoj shqetësimin tuaj qytetar. Nuk diskutohet që ne kemi qëndruar. Grup i posaçëm duket sikur s’po punon, por unë me garanci po ju them që shumë shpejt për atë ngjarje do të kemi rezultate. Ngjarja ishte e rëndë, sikur të kisha shkopin magjik ta ktheja kohën pas, besoj të gjithë nga ne do ta kishim vënë dorën në zemër për të mos ndodhur, por ja që ka ndodhur. Është fakt tani dhe duhet të përballemi. Ngjarje nuk ka pasur vetëm në Shkodër, situatë problematike ka pasur në disa qytete të Shqipërisë të cilat ne i kemi adresuar”, shtoi Proda.