Trishtimi i opozitarizmit

spot_img
Advertisements

nga Roland Lami

Partia Demokratike dhe partitë e vogla kanë qenë në sheshë që në fillimet e të ashtuquajturit Revolucion Flamingo. Që prej fillimit të saj kanë pasur vetëm një objektiv, si të zotërojnë, komandojnë dhe në fund, të përvetësojnë këtë lëvizje. Në naivitetin e tyre politik, por edhe në fatkeqësinë tonë, sepse përballë një qeverie që vetëm kjo lloj opozite e mban në këmbë, nuk kemi një opozitë që të ofrojë alternativë. Të gjithë pa përjashtim, ngatërrojnë pronësinë mbi protestën me përfaqësimin e saj, ngatërrojnë marrjen e frymës së saj me huazimin e formave sesi ajo proteston.

Prej muajsh, përmes strukturave partiake, ndikimeve mediatike, investimeve në rrjetet sociale, debateve dhe konferencave për shtyp, përpiqen të dëshmojnë se janë të pranishëm dhe të rëndësishëm madje nuk janë mbrapa tyre por pararojë. Nuk mund t’i fajësosh plotësisht pasi është një tundim i madh për çdo subjekt politik të shohë një masë njerëzish në rrugë dhe të mos i kanalizosh te interesat e tua. Por këtu qëndron paradoksi për fat të keq edhe të opozitës. Pasi kjo është një protestë që nuk është thjesht kundër qeverisjes së gjatë socialiste, por edhe kundër opozitës së sotme, e cila ka dështuar të ndërtojë një frymë të re politike. Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve në rrugë nuk po kërkojnë të ndërrojnë vetëm qeverinë, por edhe mënyrën se si prodhohet dhe ushtrohet pushteti në këto 35 vite. Ata nuk duan të kthehen te e njëjta skenë politike me aktorë të tjerë, as të bëhen dekor i një mobilizimi elektoral që në fund ofron të njëjtën cilësi qeverisje.

Në gjuhën e teorisë politike, ky fenomen njihet si krizë përfaqësimi pasi institucionet dhe partitë humbasin aftësinë për të artikuluar kërkesat shoqërore dhe shoqëria në këto kushte fillon të flasë jashtë tyre. Pikërisht këtë gjuhë establishmenti nuk di ta lexojë.

Trishtimi i vërtetë është se kemi një klasë politike që nuk arrin as të lexojë, as të kuptojë dhe aq më pak të ndërtojë një vizion për këtë energji të re shoqërore. Përballë saj kemi një shtresë urbane, të re në moshë, të arsimuar, kryesisht të mesme, që kërkon të shkëputet nga një tranzicion 35-vjeçar, i cili ka ndryshuar qeveritë, por jo kulturën e pushtetit. Një brez që ka ndarë me këtë sistem zhgënjimin, pasigurinë, mungesën e perspektivës dhe, së fundmi, edhe përplasjen fizike. Nuk është një turmë që pret t’i caktohet një drejtues, por një shoqëri që po kërkon të gjejë vetë zërin e saj. Dhe këtu fillon frika e establishmentit: jo nga protesta si numër, por nga mundësia që ajo të prodhojë një kulturë politike jashtë kontrollit të tij.

Ajo që pamë sot ishte, në njëfarë mënyre, legalizimi i kësaj pacavureje politike. Një opozitë që prej 13 vitesh qëndron jashtë pushtetit dhe ende nuk ka kuptuar se çfarë ka ndryshuar në shoqëri. Ose, më saktë, një establishment partiak që jeton ende me madhështinë e para njëzet vjetëve dhe i lexon ngjarjet e sotme përmes triumfeve të dikurshme. Për të, çdo grumbullim njerëzish është një mundësi për të rikthyer historinë e vet, çdo pakënaqësi një mandat i pashkruar dhe çdo protestë një pronë që pret të regjistrohet në emrin e partisë. Është një anakronizëm politik pothuajse grotesk.

Suksesi i lëvizjes studentore në Beograd është një leksion i madh jo vetëm për protestuesit shqiptarë, por sidomos për partitë opozitare. Ai dëshmon se një lëvizje qytetare mund të fitojë legjitimitet dhe forcë pikërisht duke ruajtur autonominë e saj nga strukturat tradicionale të politikës. Nëse opozita shqiptare nuk di ta lexojë këtë përvojë dhe vazhdon me të njëjtat taktika të vjetra, duke kërkuar jo të ndërtojë një frymë të re politike, por të përvetësojë emrin, pronësinë dhe përfaqësimin e një lëvizjeje që nuk e ka krijuar, atëherë do të humbasë edhe më keq se partitë si motra në Serbi.

Në fund, problemi nuk është se partitë duan të përfitojnë nga protesta; kjo është pjesë e logjikës së konkurrencës politike. Problemi është se duan ta përvetësojnë pa e kuptuar, ta drejtojnë pa e dëgjuar dhe ta përfaqësojnë pa e njohur. Ky është trishtimi më i madh i establishmentit shqiptar që ka kaluar 35 vjet duke luftuar për pushtetin, por nuk ka mësuar ende të kuptojë shoqërinë.

spot_img

Latest articles

Related articles