Shumë të rinj dhe jo vetëm vijojnë të mbeten të papunë ose në kërkim të një pune por pa sukses. Sipas të dhënëve të INSTAT në tetor-dhjetor të vitit të kaluar inaktiviteti në tregun e punës shënoi rritje.
Për të folur mbi këtë temë në studion e emisionit “Jetë Shqiptare” në RTSH ishte i ftuar pedagogu Rezart Prifti i cili u shpreh se rritja e pagave nuk është më e rëndësishme për të motivuar shqiptarët sepse tashmë është një çështje e mos funksionimit të sistemit.
“3 vjeçarin e fundit nëse e keni vene re, statistikat tregojnë se janë rritur pagat mesatare dhe pagat minimale në çfarëdolloj industrie në Shqipëri. Për 3 vite rresht kjo nuk funksionoi që të motivonte as të rinjtë shqiptar, as të vjetrit shqiptar po as të vdekurit shqiptar. Për arsye se nuk ka të bëjë me pagesën, nuk është më çështje pagese por është një çështje e sistemit disfunksional”, tha Rezart Prifti.
Gjithashtu pedagogu Prifti u shpreh se biznesmenët shqiptar janë matrapaz që kërkojnë nga punonjësi më shumë se sa i takon të bëjë madje edhe punë jashtë vendit të punës.
“E kuptoj kur thuhet që një i ri nuk mund të pyes për pagën që në takimin e parë por kjo funksionon vetëm jashtë shtetit, ku të drejtat të njihen, dy gjëra bazë i ke minimale etj. Por në një vend matrapazësh siç është Shqipëria që ti e merr dhe i thua do të bësh këtë punë dhe kur vjen puna tek puna e ngarkon me 7 punë madje ti shërbej edhe vjehrrës tënde është tipike situatë shqiptare dhe ai s’paska të drejtë të pyes sa do marrë ndërsa ti ke të gjitha të drejtat e mundshme. Tani i kuptoj të gjithë të rinjtë kur pyesin sa e kam rrogën unë, pse? Sepse sipërmarrësit shqiptar janë matrapaz ordiner”, u shpreh pedagogu.