Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nxjerrë nga qelia ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon. GJKKO ka dhënë pasditen e kësaj të marte masën “arrest shtëpie” për Dakon, i cili akuzohet për veprën penale shpërdorim të detyrës, për një tender dhe një leje ndërtimi gjatë kohës që ka qenë kryebashkiak.
Mbi Dakon rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, për një tender dhe një leje ndërtimi gjatë kohës që ka qenë kryebashkiak.
Ai është arrestuar më 6 qershor të vitit te kaluar, pasi akuzohet për “shpërdorim detyre” në dy raste. Dako akuzohet se bashkë me drejtuesin e Urbanistikës në Bashki dhe topografët, kanë zbardhur një leje 4 vite pasi pallati ishte ndërtuar.
Objekt hetimi kanë qenë dy fakte penale dhe më konkretisht, procedura e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh dhe plotësimi i dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë. Si dhe procedura e prokurimit Shërbim Konsulence për sigurimin e projektit “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.
Përmes mbrojtësit të tij ligjor, Vangjush Dako kërkoi pushimin e çështjes dhe nëse kjo kërkesë nuk pranohet, të gjykohet me gjykim të shkurtuar. Kjo do të thotë se nëse në fund të procesit gjyqësor ai shpallet fajtor, përfiton uljen e 1/3 së dënimit.
Ai është shprehur se leja për pallatin për të cilin ai akuzohet ishte vendim kolegjial dhe jo i tiji, ndërsa për tenderin për zhvillimin e vijës bregdetare, të ashtuquajturës Promenada Bregdetare, kërkoi nga SPAK që të vijojë hetimet.