Papa Françesku: ëndrra e paqes për Gadishullin Korean është gjithmonë në mendjen e zemrën time

R.SH. / Vatikan
“Dua t’ju ftoj të rizbuloni thirrjen tuaj si ‘apostuj të paqes’ në çdo fushë të jetës”. Kështu pohoi Papa Françesku gjatë audiencës së sotme, mbajtur paradite në Vatikan, me një grup shtegtarësh nga Koreja, të cilë kanë ardhur në Vatikan në ditën e martirizimit të Shën Andreut Kim Taegon (priftit të parë dhe martirit të Koresë), që ndodhi 177 vjet më parë, dhe me rastin e bekimit të shtatores së tij, e cila është vendosur në një nga kamaret e jashtme të Bazilikës së Shën Pjetrit.

“Ndërsa Andreu Kim Taegon po studionte teologjinë në Macau – kujtoi Papa -, iu desh të ballafaqohej me tmerret e Luftërave të Opiumit; megjithatë, në atë kontekst konfliktual, ai arriti të ishte një farë paqeje për shumë njerëz, duke demonstruar aspiratën e tij për të takuar të gjithë dhe për të dialoguar me të gjithë. Ungjilli nuk ndan, por bashkon e ndihmon në kapërcimin e barrierave.

Është një profeci për Gadishullin Korean dhe për mbarë botën: është nxitje për t’u bërë shoqërues udhëtimi dhe dëshmitarë të pajtimit; është dëshmi e besueshme se e ardhmja nuk ndërtohet me forcën e dhunshme të armëve, por me forcën e butë të afërsisë. T’ai besojmë Shën Andreut Kim Taegon ëndrrën e paqes në Gadishullin Korean, e cila është gjithmonë në mendimet dhe lutjet e mia”.

Ungjilli nuk ndan, por bashkon

”Dëshira për t’i dhënë botës shpresën e Ungjillit e hap zemrën ndaj entuziazmit dhe ndihmon për të kapërcyer shumë pengesa. Ungjilli nuk ndan, por bashkon”, tha akoma Papa gjatë audiencës së sotme me 200 shtegtarët nga Koreja. Një dëshirë kjo e cila, nënvizoi Ati i Shenjtë Bergoglio, “na shtyn të mëshirohemi dhe t’i afrohemi kulturës, të depërtojmë brenda historisë, me butësi dhe me frymën e shërbimit, pa krijuar kurrë konflikte, por duke ndërtuar gjithmonë afërsi dhe bashkësi. Po, të ndërtojmë bashkësi”.

Audienca e shtegtarëve koreanë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, siç kujtoi Papa, përkon me ditën e martirizimit të Shën Andreut Kim Taegon, që ndodhi 177 vjet më parë më parë, dhe me rastin e bekimit të shtatores së tij, e cila është vendosur në një nga kamaret e jashtme të Bazilikës së Shën Pjetrit. Falënderoj Zot për dëshminë e jetës dhe të fesë së këtij shenjti tuaj të madh, e edhe për fenë tuaj, sepse populli korean, kur e ndjek Jezu Krishtit jep një dëshmi të bukur”.

Duke folur për Shën Andreun Kim Taegon, Papa Françesku kujtoi se “ai ishte guximtar dhe kishte një zell të madh për përhapjen e Ungjillit”. Ai iu përkushtua shpalljes e dëshmisë së Jezusit me fisnikëri të shpirtit, pa u zmbrapsur përballë rreziqeve dhe pavarësisht nga shumë vuajtje me të cilat është përballur: mjafton të kujtojmë vetëm faktin se edhe gjyshi dhe babai i tij qenë martirizuar dhe se nëna e tij u detyrua të jetonte si një lypësare.

Duke shikuar figurën e jashtëzakonshme të Shën Anreut Kim Taegon, tha Papa, si mund të mos ndihemi të nxitur edhe ne për të kultivuar zellin apostolik në zemër, për të qenë shenjë e një Kishe që del nga vetvetja për të përhapur me gëzim farën e Ungjillit, madje edhe përmes një jetë të shpenzuar për të tjerët, në paqe dhe me dashuri? Lidhur me këtë dua të nënvizoj një gjë: ju keni hirin e shumë thirrjeve meshtarake; ju lutem, ” dërgoni jashtë vendit” meshtarët, dërgoni në misione, se përndryshe do të ketë më shumë priftërinj se popull dhe kjo nuk shkon: le të shkojnë si misionarë jashtë.

Latest articles

Related articles