Rrëzimi i kërkesës për mocion me debat, Bardhi-Nikollës: Anulo votimin

Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi i është drejtuar me një kërkesë Kryetares së Kuvendit dhe Komisionit të Votimit për të anuluar votimin e akteve të seancës së djeshme, ku ndër të tjera, u rrëzua kërkesa për mocion me debat për çështjen e McGonigal.

Në kërkesë, Bardhi argumenton se Nikolla ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke konsideruar të miratuar 3 akte me pjesëmarrjen e vetëm 64 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në procesin e votimit.

“Nga ana ime si deputet, është ngritur në mënyrë të përsëritur mungesa e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje, çka i bëntë tre votimet e kryera absolutisht të pavlefshme, mirëpo në injorim të detyrimit kushtetues dhe të Rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit i ka konsideruar aktet të miratuara.

Kjo përbën një shkelje kushtetutese dhe ligjore shumë të rëndë, duke anashkaluar detyrimin e parashikuar nga neni 78 i Kushtetutes dhe neni 55 i Rregullores së Kuvendit.” – shprehet Bardhi në kërkesë.

Ditën e djeshme, deputetët e opozitës kërkuan që sot të flitet për çështjen e zyrtarit të FBI-së, McGonigal edhe pse kryeministri nuk ndodhet në Shqipëri, por në një vizitë zyrtare në Tokio.

Për shkak të të kaosit të krijuar në seancën e kaluar, u përjashtuan nga Kuvendi për 10 ditë 6 deputetë të PD-së, Edmond Spaho, Elda Hoti, Sorina Koti, Oerd Bylykbashi, Lindita Metaliaj dhe Greta Bardeli.

Latest articles

Related articles