Të paktën 7,266 persona kanë vdekur për shkak të tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë ndërsa numri i viktimave në Turqi vazhdon të rritet. 35,626 të tjerë janë plagosur pasi një nga tërmetet më të fortë goditi dje Turqinë dhe Sirinë, ndërsa 5,775 ndërtesa janë shembur.
Ministri turk i Shëndetësisë Fahrettin Koca tha në një konferencë për shtyp të martën se numri i të vdekurve në Turqi tani është 5,434.
Organizata vullnetare e Sirisë, Helmetat e Bardha, të njohura gjithashtu si Mbrojtja Civile e Sirisë, ka përditësuar numrin e të vdekurve në Sirinë veriperëndimore në 1020 në zonat e kontrolluara nga opozita. Sipas mediave shtetërore siriane, të paktën 812 persona kanë vdekur në zonat e kontrolluara nga qeveria. Kjo e çon numrin e përgjithshëm të vdekjeve të Sirisë në të paktën 1,832.
35,626 persona janë plagosur në të dy vendet, sipas shifrave nga qeveria turke, Helmetat e Bardha dhe media shtetërore siriane.
Tërmeti me magnitudë 7.8 goditi pak pas orës 4 të mëngjesit të së hënës me orën lokale, 23 kilometra (14.2 milje) në lindje të Nurdagi, provincën Gaziantep, në një thellësi prej 24.1 kilometrash (14.9 milje), tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS). Nurdagi ndodhet përgjatë kufirit Turqi-Siri dhe tërmeti u ndje në disa vende të rajonit, duke përfshirë Sirinë dhe Libanin. Lëkundjet kanë shkaktuar dëme të mëdha dhe në Hatay, Gaziantep, Adana, Malatya, Osmaniye, Dijarbakır dhe Şanliurfa.