Kompania ajrore “Air Albania” ka rënë pre e një sulmi kibernetik nga një grup hakerash të cilët i kanë vensour kusht për të paguar një shumë të konsiderueshme parash, raporton Newsbomb.al.
Sipas ekspertëve të teknologjisë, sulmi është kryer mbrëmjen e 30 janarit dhe është i llojit “data breach” apo cënim i të dhënave me “ransomware”, i realizuar përmes Lockbit.
Ky lloj sulmi konsiston në marrjen “peng” të të dhënave, përmes hakerimit të sistemeve të kompanisë, e cila më pas kërcënohet të paguajë një shumë parash në këmbim të rimarrjes së aksesit apo mospublikitmi të të dhënave.
Edhe në rastin e “Air Albania”, grupi i hakerave të “LockBit” raportohet se i ka kërkuar kompanisë të paguajë një shumë parash, që nuk është bërë publike, deri në datën 14 shkurt si afati i fundit.
Air Albania është një nga 7 kompanitë e sulmuara nga LockBit gjatë javës së kaluar, përfshi edhe stacionin televiziv amerikan PBS, si dhe kompanitë CPL Industries, UK, 8×8 e të tjera.
Kjo nuk është hera e parë që linjat ajrore sulmohen me “ransomware”. Më herët LockBit ka targetuar kompani si Air Portugal, Air Asia dhe Kuwait Airlines.
Ndonëse Shqipëria ka qenë prej muajsh nën sulme të vazhdueshme kibernetike nga grupi i hakerave iranianë, “Homeland Justice”, ky sulm ndaj Air Albania nuk është i lidhur me ta.