Ditari i luftës: Rusia përdor Krimenë si bazë për veprimet ushtarake në jug të Ukrainës

Ministria ruse e mbrojtjes tha të mërkurën se përdorimi i paligjshëm i telefonave celularë nga ushtarët rusë lehtësoi sulmin me raketa ukrainase në një kazermë në qytetin Makiivka. Ministria tha se po heton incidentin, por ka përcaktuar se forcat ukrainase gjurmuan përdorimin e telefonit celular të ushtarëve për të lokalizuar kazermat. Ministria shtoi se sulmi në rajonin e Donetskut të pushtuar nga Rusia vrau 89 trupa, një rritje nga një numër i mëparshëm i vdekjeve prej 63. Humbjet e mëdha thuhet se janë shkaktuar nga prania e një depoje municioni pranë kazermës. Disa analistë rusë hedhin poshtë këtë version. Sipas tyre kanë qenë forcat special ukrainase dhe dronët e tyre që kanë bërë zbulimin e vendkomandës, dhe jo telefonat, që sipas tyre thuhet se bëhen kokë turku për të hequr përgjegjësinë.

Forcat ukrainase raportojnë se ofensiva ruse në qytetin lindor të Ukrainës Bakhmut është duke u dobësuar. Rezistenca e ashpër e Ukrainës rreth qytetit e ka shtyrë Rusinë të ridrejtojë disa forca në zona të tjera përgjatë frontit lindor, siç është qyteti i afërt Soledar. Themeluesi i grupit Wagner të Rusisë, Yevgeny Prigozhin, e konfirmoi këtë në një video gjatë vitit të ri, ku ai raportoi se mercenarët e tij kanë luftuar për javë të tëra për të avancuar në Bakhmut dhe po marrin humbje të mëdha. Bakhmut nuk është domosdoshmërisht një objektiv kryesor strategjik, por është psikologjikisht i rëndësishëm duke pasur parasysh dështimin e Rusisë për ta kapur atë për muaj të tërë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy po paralajmëron se Rusia po përgatit një mobilizim tjetër për të thirrur trupat për një ofensivë të re, pavarësisht humbjeve të konsiderueshme në sulmin Makiivka. Zelenskiy tha se Moska do të përdorë çfarëdo burimi që i ka mbetur dhe do të përdorë këdo që mund të grumbullojë për të rikthyer humbjet ose të paktën për të vonuar humbjen. Kremlini ka thënë se nuk ka nevojë për mobilizim të mëtejshëm.

Zyrtarët e instaluar nga Rusia në Krime raportuan shpërthime pranë aeroportit ushtarak Belbek dhe thanë se marina ruse rrëzoi dy drone pranë bazës detare të Sevastopolit. Zyrtarët thanë se incidentet tregojnë se gadishulli i Krimesë është ende i prekshëm nga sulmet ukrainase. Rusia e ka kthyer Krimenë në një bazë të madhe ushtarake, të cilën e përdori për të nisur pushtimin e saj gjithëpërfshirës. Ky përdorim i gadishullit është arsyeja pse Rusia ka pasur shumë më tepër sukses duke luftuar në jug të Ukrainës sesa në veri të saj. Rusia vazhdon të përdorë flotën e Detit të Zi të vendosur në Krime dhe bazat ajrore të gadishullit për të nisur sulme me dronë dhe raketa. Kontrolli rus i Krimesë nuk është vetëm një rrezik sigurie për Ukrainën. Prezenca e Moskës në gadishull rrezikon të gjithë botën. Nga Krimea, Rusia projekton fuqi në Evropë dhe Lindjen e Mesme, duke kërcënuar sigurinë e shumë shteteve të tjera. Duke pushtuar gadishullin, Rusia ka fituar autoritet si në Detin e Zi ashtu edhe në Detin Azov, këtë të fundit trupat ruse tashmë e rrethojnë plotësisht.

Gazeta amerikane Wall Street Journal ka një shkrim ku vë në dukje se si Ukraina ka rrjetëzuar në mënyrë dixhitale ushtrinë e saj. Ndërsa ajo është më pak i sofistikuar se sistemet perëndimore, përdorimi i komunikimeve satelitore dhe softuerëve personalë nga Ukraina për të lidhur dronët, trupat, armët dhe inteligjencën e saj ka qenë i jashtëzakonshëm pasi përfaqëson një qasje të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Analistët thonë se SHBA dhe aleatët e saj mund të shikojnë nga Ukraina për frymëzim se si të përmirësojnë dixhitalizimin e tyre ushtarak me të dhëna joushtarake dhe inovacione.

Latest articles

Related articles