Të paktën 14 persona humbën jetën në një sulm të armatosur në një burg në qytetin kufitar meksikan të Juarez.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit Chihuahua tha në një deklaratë se 10 roje sigurie dhe katër të burgosur u vranë dhe 13 të tjerë u plagosën.
Incidenti filloi rreth orës 7 të mëngjesit të së dielës, kur persona të armatosur me automjete të blinduara mbërritën në burg dhe hapën zjarr ndaj personelit të sigurisë, tha zyra e prokurorit.
Gjithashtu sipas mediave, banditët nisën bastisjen për të liruar liderin e tyre, Ernesto Alfredo Pinon de la Cruz, alias El Neto, i dënuar me 200 vjet burg për vrasje, rrëmbime dhe dhunë. Një kriminel që e ka nisur “karrierën” kur ishte vetëm 18 vjeç. Me të dyshohet se u arratis edhe “togeri” i tij Cesar Munoz, i njohur si El Chilin.
Ciudad Juarez, pikërisht përtej kufirit SHBA-Meksikë nga El Paso, Teksas, është një nga qytetet më vdekjeprurëse të Meksikës dhe një epiqendër e dhunës së kartelit të drogës.
Kartelet rivale Juarez dhe Sinaloa kanë luftuar një luftë të përgjakshme në terren në rajon mbi rrugët fitimprurëse të kontrabandës dhe për territorin e trafikut të drogës në qytet.