𝐅𝐉𝐀𝐋𝐈𝐌𝐈 𝐈 𝐌𝐁𝐀𝐉𝐓𝐔𝐑 𝐍𝐄 𝐔𝐍𝐈𝐕𝐄𝐑𝐒𝐈𝐓𝐄𝐓𝐈𝐍 𝐄 𝐓𝐄𝐓𝐎𝐕𝐄𝐒 𝐌𝐄 𝐑𝐀𝐒𝐓𝐈𝐍 𝐄 𝟐𝟖 𝐍𝐄𝐍𝐓𝐎𝐑𝐈𝐓, 𝐃𝐈𝐓𝐄𝐒 𝐒𝐄 𝐏𝐀𝐕𝐀𝐑𝐄𝐒𝐈𝐒𝐄 𝐒𝐄 𝐒𝐇𝐐𝐈𝐏𝐄𝐑𝐈𝐒𝐄 🇦🇱
Është kënaqësi dhe nder i veçantë të jem sot mes jush, në këtë ceremoni kushtuar 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë.
Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali i dha formë politike një aspirate që shqiptarët e kishin ruajtur ndër shekuj: të drejtës për të qenë zotër të fatit të tyre.
Nga Skënderbeu e deri te shpallja e Pavarësisë, historia jonë dëshmon vullnetin për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar.
Edhe familja ime është pjesë e kësaj historie. Gjyshi im, Mbreti Zog I, ia kushtoi mbretërimin forcimit të sovranitetit dhe ndërtimit të institucioneve të shtetit shqiptar. Sepse pavarësia nuk mjafton të shpallet; ajo duhet të ndërtohet dhe të mbrohet.
Kjo përpjekje për identitet dhe dinjitet vazhdon të ketë rëndësi edhe sot. Universiteti i Tetovës, i themeluar në vitin 1994, është dëshmi e përpjekjes për të drejtën e shqiptarëve për arsimim në gjuhën amtare.
Në prag të 28 Nëntorit, protestat në Tetovë dhe në qytete të tjera shqiptare në Maqedoninë e Veriut na kujtojnë se respektimi i gjuhës shqipe mbetet një çështje e rëndësishme. Flamuri ynë simbolizon jo vetëm lirinë e fituar, por edhe përgjegjësinë për të mbrojtur gjuhën, kulturën dhe dinjitetin tonë.
Të nderuar të pranishëm!
Historia është një trashëgimi, por çdo trashëgimi mbart përgjegjësi. Detyra jonë është t’u lëmë brezave që vijnë një të ardhme të denjë për sakrificat e atyre që na paraprinë.
Dhe për ta bërë sa më mirë këtë, duhet së pari të mos harrojmë të kaluarën, mësimet e nxjerra prej saj. Duhen vënë në pah sakrificat që brezat e ardhshëm ta çmojnë lirinë e ta ruajnë atë. Dashuria për gjuhën shqipe, për shqiptarët e për tokën tonë të jetë e pacenuar dhe e padobësuar.
Dita e Pavarësisë na fton për vetëdije kombëtare dhe unitet. Prosperiteti ynë si komb kërkon ndërgjegje të lartë nga ne, angazhim social dhe punë të pandërprerë. Të ardhmen e sigurt të kombit e garantojnë brezat e rritur me vlerat më të larta atdhetare.
Na takon ne t’u prijmë rrugën atyre, t’u japim vetëbesim e krenari, t’ua bëjmë të dashur flamurin. T’i njohim mirë me rrënjët e t’ua rrënjosim përkatësinë kombëtare.
Shqiptarët kanë lundruar shpesh në det të trazuar në mbi një shekull pavarësi. E çdo herë kanë arritur të dalin në breg. Me vitalitet u kemi bërë ballë sprovave të historisë, por e ardhmja meriton të jetë shumë më premtuese.
Rroftë Shqipëria dhe kombi shqiptar! 🇦🇱



