Ndërkohë, Moska e ngarkoi gjithashtu Aleksandër Korotkovin që të rivendoste kontaktet me grupet e Harnack-ut dhe Schulze-Boysen-it. Për ta arritur këtë, në mesin e shtatorit, ai mori përsipër rrezikun duke shkuar disa herë në shtëpinë e Harnack-ut. Në disa raste, një punonjëse e shtëpisë e njoftoi se zoti Harnack nuk ndodhej aty. Vetëm më datë 16, Korotkovi arriti më në fund të takohej me të. Biseda e tyre nisi me tension, pasi Harnack-u ishte i kujdesshëm dhe mosbesues. Kur më në fund u bind për sinqeritetin e vizitorit të tij – nëse mund të përdoret një term i tillë për një oficer të NKVD-së – ai foli gjerë e gjatë për rrjetin e tij të kontakteve. Më e rëndësishmja, ai i tregoi rusit se ai dhe miqtë e tij ishin të bindur se Hitleri kishte ndërmend të pushtonte Bashkimin Sovjetik vitin pasues, më 1941. Pasi u kthye në ambasadë, Korotkovi i dërgoi një mesazh gjeneral-lejtnant Pavel Fitinit, kreut të sektorit të jashtëm të NKVD-së në Moskë, duke përdorur emrin e eprorit të tij zyrtar, Amayak Kobulov, i njohur me nofkën “Zakhar”:
Tepër sekret
Për shokun Viktor
“Kaporali” ka mësuar nga “Shqiptari” – i cili ka biseduar me një oficer të lartë të Wehrmacht-it – se Gjermania synon të nisë një luftë kundër
Bashkimit Sovjetik në fillim të vitit të ardhshëm…
16 shtator 1940
Zakhar
Secret War: Spies, Codes and Guerrillas 1939-1945 fq 114.
Një nga çështjet më të famshme të spiunazhit gjatë Luftës së Dytë Botërore është ajo e një shqiptari nga Kosova më emrin Iliaz Bazna, ose me pseudonimin e tij “Cicero” apo 007 shqiptar, që vazhdon të jetë një temë kryesore në mesin e historianëve dhe shkrimtarëve në lidhje me rolin dhe ndikimin e tij gjatë një prej ngjarjeve më të mëdha në botë.
Po kush është 007 shqiptar me famë botërore ?
Iliaz Bazna alias “Cicero” ka lindur në një familje shqiptarë në Prishtinë në vitin 1904, në atë kohë e njohur si Perandoria Osmane. Përveç kësaj, sipas dokumenteve të CIA-s (Central Intelligence Agency), konfirmohet që çështja “Cicero” është një nga historitë më të famshme të spiunazhesh të epokës sonë. Kur Lufta e Dytë Botërore filloi në vitin 1939, gjermanët dhe italianët pushtuan Ballkanin, duke okupuar të gjitha vendet përfshirë edhe Shqipërinë dhe zonat e banuara me shqiptarë.
Turqia ishte i vetmi vend në Ballkan që nuk ka marre pjesë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi që vendosi të mbetet neutral. Në vitin 1939, në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, britanezët angazhuan “Ciceron” si një asistent personal të ambasadorit britanik Sir Hughe Montgomery Knatchbull-Hugessen
Si rezultat, “Cicero” është paguar shuma të mëdha, kryesisht në funta britanike të falsifikuara, rreth 100.000, për shërbimet e tij. Në atë periudhë, kjo ka qenë një shumë mjaft e konsiderueshme.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, përdorimi i parave të falsifikuara ka qenë një element kyç në përpjekjet e Hitlerit për të shkatërruar dhe për të destabilizuar ekonominë e Britanisë duke përdorur para të falsifikuara për të krijuar inflacion, siç argumentohet nga gazetari i mirënjohur amerikan, John K. Cooley, në librin e tij “Currency Wars”, ku ai gjithashtu i kushton disa seksione për spiunin shqiptar. Veç kësaj, gjermanët nuk e vlerësuan çdo informacion që u komunikua nga “Cicero”, pasi ata kishin frikë se ai ishte një spiun britanik.
Megjithatë, “Cicero” ofroi informacione shumë të vlefshme për gjermanët, të cilat mund të kishin ndihmuar Gjermaninë naziste për ta kthyer rezultatin e Luftës së Dytë Botërore në favor të tyre. Sipas shumë burimeve, “Cicero” paralajmëroi për zbarkimin e aleatëve në Normandi në Francë (Operation Overlord), një betejë historike dhe një pjesë thelbësore për t’i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore, të cilën gjermanët e konsideruan si dezinformatë.
Kjo doli të jetë një gabim shumë të kushtueshme, pasi që më 6 qershor 1944, aleatët zbarkuan me sukses në brigjet e Normandisë në Francë dhe filluan çlirimin e Evropës.
Roli i shqiptarit, Iliaz Bazna, ende nuk është harruar – shumë filma dhe libra janë shkruar rreth tij, si filmi “Five Fingers”, ku një actor, duke luajtur rolin si Iliaz, përmend ndërsa ka një bisedë me një zonjë se ai është shqiptar (53:39) kur ai përgjigjet në pyetjen rreth origjinës së tij, dhe më tutje libri “The Cicero Spy Affair: German Access to British Secrets in World War II” e cila është në dispozicion në portalin të mirënjohur Amazon.
Së fundi, pasi që Lufta e Dytë Botërore përfundoi më 2 shtator 1945, burime të ndryshme konfirmojnë që “Cicero” u zhduk dhe vazhdoi jetën e tij në Turqi si një njeri i varfër dhe jo më një spiun.



