Urime zgjedhjen dy deputetëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës!
Përpara tyre qëndron një betejë e vështirë politike, që kërkon vendosmëri, unitet dhe përkushtim për mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve të këtyre trevave.
Në këtë rrugëtim, Shqipëria duhet të jetë shumë më e pranishme dhe të angazhohet fuqishëm, jo vetëm për të mbështetur kërkesat legjitime të përfaqësuesve shqiptarë, por edhe për t’u qëndruar realisht pranë banorëve të Luginës së Preshevës, të cilët vazhdojnë të përballen me padrejtësi dhe pengesa në ushtrimin e të drejtave të tyre.
Megjithatë, çështja e Luginës nuk duhet të mbetet përgjithmonë vetëm një çështje e të drejtave që kërkojnë të garantohen. Ajo meriton një zgjidhje politike të drejtë, përfundimtare dhe të mbështetur në vullnetin e lirë të njerëzve që jetojnë atje.
E ardhmja e shqiptarëve të Luginës duhet të jetë në duart e tyre. Nëse barazia, dinjiteti dhe bashkëjetesa e drejtë nuk mund të garantohen, atëherë duhet të hapet seriozisht rruga për një zgjidhje që u mundëson atyre të vendosin lirisht për të ardhmen e tyre, përfshirë edhe statusin politik të këtyre trevave.
Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa drejtësi dhe as zgjidhje përfundimtare pa respektuar vullnetin e një populli. Është koha që kjo çështje të trajtohet me guxim politik, përgjegjësi ndërkombëtare dhe vizion historik.
Urojmë që padrejtësia historike të marrë fund dhe që shqiptarët e Luginës së Preshevës të arrijnë të jetojnë të lirë, me dinjitet dhe me të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre.
Me bindjen se asnjë padrejtësi nuk duhet të zgjasë përgjithmonë dhe me premtimin se Familja Mbretërore Shqiptare do të jetë gjithmonë pranë tyre, në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe aspiratave të tyre kombëtare. Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë të harruar.
Zoti i bekoftë shqiptarët!
OMSH



