Ajo që po ndodh në Autoritetin Rrugor Shqiptar është një komedi, që mund të sfidojë pa frikë edhe kryeveprat më të mëdha të kinematografisë botërore. Ndërsa SPAK i merr të pandehur njëri pas tjetrit zyrtarët e lartë të ARRSH, këta të fundit kanë forcuar radhët mes tyre dhe gradojnë njëri tjetrin në poste drejtuese.
Rasti më flagrant është ai i Gëzim Nonit. Zoti Noni është zyrtarisht jo vetëm nën akuzë nga SPAK, por për të ka dhe pretencë. Prokuria e Posaçme ka kërkuar 1 vit e gjysmë burg për Gëzim Nonin për shkelje të barazisë në tendera, kërkesë e cila është konvertuar në 4 vjet shërbim prove dhe heqje e së drejtës për funksione publike për 3 vjet.
Por vetëm një muaj më parë, drejtori i Përgjithshëm i ARRSH, Ami Kozeli ka vendosur ta emërojë zv drejtor të këtij institucioni, Gëzim Nonin. Madje jo vetëm kaq, por Noni është caktuar de fakto drejtor i zbatimit të kontratave, aty ku lëviz 90 për qind e buxhetit të ARRSH-së.
Gëzim Noni u vu nën akuzë që në dosjen e Evis Berberit. Ai ka qenë në komisionin e tenderave thuajse për çdo lot të Unazës dhe nuk është çudi që SPAK të ngrejë akuza të reja ndaj tij.



