Reagimet e disa kongresmenëve amerikanë si Alexandria Ocasio-Cortez, George Latimer, Ritchie Torres, Keith Self, Joe Wilson dhe Robert Aderholt për protestat e fundit në Shqipëri kanë sjellë në vëmendje shqetësimet e tyre për situatën. Në reagimet e tyre, ata janë ndalur te dhuna ndaj protestuesve, respektimi i lirive demokratike, shteti i së drejtës dhe nevoja që zëri i qytetarëve të dëgjohet.
Disa prej tyre kanë bërë të ditur se kanë marrë mesazhe nga shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara – pjesa më e madhe në zonën e New York – të cilët u kanë shprehur shqetësimet për situatën në Shqipëri dhe sigurinë e familjarëve të tyre.
Reagimet e kongresmenëve amerikanë nuk duhet të shihen thjesht si vërejtje nga jashtë, as si një argument për t’u përdorur në betejën e brendshme politike. Ato duhet të shërbejnë si një mundësi për të reflektuar mbi mënyrën se si funksionon përfaqësimi politik në Shqipëri.
Mësimi më i madh për politikën shqiptare në këto kushte është i thjeshtë: pushteti fitohet përmes votës, por përfaqësimi dëshmohet çdo ditë, duke dëgjuar qytetarin, duke marrë seriozisht shqetësimet e tij dhe duke mbajtur përgjegjësi përpara tij.



