Në fund të pranverës së vitit 2020, një burim të cilin e konsideroja të besueshëm më telefonoi për të më treguar një histori. Qeveria holandeze kishte hakuar telefonin e Jared Kushner dhe e kishte monitoruar atë teksa hynte në një llogari bankare me bazë në Dubai.
Ajo që dukej e çuditshme, sipas burimit, ishte se paratë në atë llogari — qindra miliona dollarë — kishin ardhur nga një bankë në Azerbajxhan. Mbi të gjitha, Kushner dukej se kishte transferuar shuma të konsiderueshme parash nga llogaria në Dubai te persona të tjerë, përfshirë një komandant lufte, një mercenar dhe një ish-vrasës me pagesë. I thashë burimit se historia tingëllonte absurde. E megjithatë…
Gjashtë muaj më vonë, po bisedoja me një person tjetër për qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe përdorimin e mercenarëve në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, kur, krejt papritur, e pyeta nëse dinte diçka për Kushnerin dhe transfertat bankare nga një llogari në Emirate. Personi që kisha përballë heshti për pak çaste. Pastaj u përgjigj: “Po”.
Gjatë katër viteve të ardhshme, mësova se, diku në fund të vitit 2017, Shërbimi i Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes së Holandës (MIVD) kishte bërë një zbulim befasues. Një operativ i Drejtorisë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse (GRU), një haker i specializuar në rrjetin e errët (dark web) për vjedhjen e të dhënave bankare, po udhëtonte drejt Mbretërisë së Bashkuar për një mision spiunazhi. Holandezët iu drejtuan qeverisë britanike për të marrë leje që ta arrestonin sapo të mbërrinte. Britanikët ranë dakord.
Kur shtetasi rus mbërriti në Angli, holandezët i thanë se kishte dy mundësi: ose të bashkëpunonte me ta kundër GRU-së, ose britanikët do ta arrestonin. Pasi të kalonte në paraburgimin e autoriteteve britanike, ai do të akuzohej për spiunazh. Nëse shpallej fajtor, do të kalonte vite në një burg britanik. Rusi zgjodhi të ndërronte punëdhënës.
Më vonë atë vit, operativi rus u dha spiunëve holandezë akses në një nga asetet më të ndjeshme të GRU-së. Në Rostov të Rusisë, njësia e hakerimit dhe operacioneve kibernetike e GRU-së administronte një server në distancë, ku ruante një pjesë të të dhënave të vjedhura. Gjatë kërkimit në këto skedarë sekretë, holandezët gjetën diçka mahnitëse: pamje të ekranit të iPhone-it të Jared Kushner.
Në Hagë, ekipi i hakerimit i MIVD-së u përpoq të rindërtonte mënyrën se si rusët kishin depërtuar në iPhone-in e Kushnerit. Ai zotëronte modelin më të fundit të asaj kohe, iPhone X. I hedhur në treg në nëntor të vitit 2017, telefoni përfshinte Face ID, një funksion sigurie të teknologjisë së përparuar, të cilin Apple e kishte promovuar gjatë prezantimit të tij. Ekipi holandez po përpiqej, si të thuash, të gjente çelësin e derës së telefonit, kur iu shkoi ndër mend se rusët mund të kishin gjetur një dritare të pambyllur për të hyrë brenda. Hipoteza e tyre rezultoi e saktë.
Në fillim të vitit 2018, MIVD-ja kishte zbuluar një dobësi në iPhone që u mundësonte akses. Megjithatë, shfrytëzimi i kësaj dobësie të sigurisë nuk ishte i përsosur. Disa programe keqdashëse (malware) i lejojnë një hakeri ta kthejë telefonin e viktimës në mikrofon dhe kamerë video, ta ndezë ose fikë atë, si dhe të shkarkojë apo të shtojë skedarë. Zgjidhja holandeze nuk ofronte një nivel të tillë aksesi. Në vend të kësaj, sa herë që Kushner përdorte telefonin, ata mund të shihnin ekranin e tij. Pothuajse menjëherë pasi hynë në sistem, shërbimi i inteligjencës nisi të fotografonte çdo pamje të ekranit të Kushnerit gjatë përdorimit të telefonit, duke krijuar arkivin e vet të mbikëqyrjes në serverët e brendshëm kompjuterikë.
Gjatë monitorimit të telefonit të Kushnerit, ata zbuluan se ai e përdorte për t’u futur në një llogari bankare në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në kohën kur spiunët holandezë fituan akses në ekranin e telefonit, llogaria kishte marrë qindra miliona dollarë nga një bankë në Azerbajxhan. Vlerësimi fillestar i tyre ishte se llogaria bankare kishte lidhje me qeverinë e atij vendi.
Për hakerët e MIVD-së, kjo llogari bankare u shndërrua në një mister inteligjence që duhej zbërthyer. Pothuajse gjithçka me të cilën merreshin kishte një nuancë komploti rus. Pak më shumë se një vit pas fillimit të mandatit të parë të Trumpit, MIVD-ja, ashtu si agjentët e FBI-së dhe prokurorët federalë në Uashington që po punonin për hetimin e Robert Muellerit, kishte në dispozicion vetëm një pjesë të historisë.
Kushneri, sundimtari i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed (MBZ), dhe Mohammed bin Salman (MBS) i Arabisë Saudite u bashkuan në një moment vendimtar. MBS dëshironte të bëhej princ i kurorës. MBZ donte të rrëzonte marrëveshjen bërthamore të Obamës me Iranin, ndërsa Kushneri kërkonte që të dy ta ndihmonin të detyronte palestinezët të pranonin një marrëveshje që do të ishte e pranueshme për Izraelin.
Pavarësisht perceptimit për pasurinë e tij, Kushneri nuk ishte plotësisht i pavarur financiarisht nga prindërit. Ndërkohë, biznesi familjar, Kushner Companies, përballej me shlyerjen e një kredie prej një miliard dollarësh, të lidhur me pronën e tij më prestigjioze, ndërtesën e zyrave në Manhattan, në adresën 666 Fifth Avenue.
Në fillim të administratës së parë Trump, MBZ dhe MBS ofruan të financonin një fond të posaçëm, jashtë kanaleve zyrtare, për të ndihmuar administratën e re të realizonte objektivat e saj në politikën e jashtme. Për shembull, fondi do të ndihmonte në financimin e murit të premtuar nga Trumpi në kufirin mes Meksikës dhe SHBA-së, në përpjekje për të siguruar një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Fillimisht, dy sundimtarët arabë diskutuan me Kushnerin mundësinë e derdhjes së më shumë se 10 miliardë dollarëve në këtë projekt.
Megjithatë, brenda pak muajsh, ndërsa MBZ i bënte presion administratës Trump për të mbështetur përpjekjen e MBS-së për t’u bërë princ i kurorës së vendit të tij dhe, më vonë, mbret, ideja e një fondi më të gjerë për politikën e jashtme u shua. Në vend të tij, fillimisht MBZ dhe MBS së bashku, e më pas vetëm MBZ, derdhën të paktën 2 miliardë dollarë në të paktën dy llogari bankare për Kushnerin. Nuk është e qartë se si i organizuan sundimtarët dy miliardë dollarët e pagesave të kombinuara, por në praktikë ata e ndanë koston. Për të kuptuar këtë skemë, duhet parë se ku ndodhej secila llogari dhe kush e kontrollonte atë.
Llogaria bankare Alpha mbahej në First Abu Dhabi Bank, banka më e madhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe mbikëqyrej nga vëllai i MBZ-së, Tahnoon bin Zayed, i cili ishte kryetar i bordit të bankës. Duke filluar nga viti 2017, sauditët dhe emiratasit transferuan rreth 750 milionë dollarë në llogarinë Alpha. Ajo do të përdorej si fond për politikën e jashtme. Paratë do të mbikëqyreshin dhe menaxhoheshin pjesërisht nga Kushneri dhe MBZ-ja, të cilët besonin se, për të arritur një marrëveshje të madhe që do t’i jepte fund konfliktit izraelito-palestinez, duhej të rishikohej harta e rajonit.
“Jaredi po kërkonte rrugë të shkurtra në diplomacinë e tij”, tha një burim që dinte për marrëveshjen mes Emirateve dhe Kushnerit. Ky person kishte zhvilluar bisedime me zyrtarë të lartë të Emirateve dhe Izraelit lidhur me marrëveshjen e fshehtë financiare mes Kushnerit, Emirateve dhe, të paktën në fillim, Arabisë Saudite.
“Jaredi i premtoi MBZ-së se do ta shtynte përpara axhendën e tyre te Trumpi, nëse ata merrnin pjesë në një fond. Ai donte normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, në mënyrë që biznesi të mund të lulëzonte.”
Një fond i tillë, pra një shumë e përbashkët parash për objektiva diplomatike jashtë librave zyrtarë, ishte një formë e zakonshme korrupsioni në qeveritë e vendeve arabe të Gjirit, shpjegoi ky person.
“Emiratasit dhe sauditët e bëjnë këtë një herë në vit. Një apo dy miliardë nuk janë asgjë për ta dhe, nëse kjo u siguron atë që duan, janë para të shpenzuara mirë.”
Në pamje të parë, llogaria Alpha dukej si burim financimi për një program qeveritar të Emirateve, përmes të cilit MBZ-ja paguante pagat e nëpunësve të tij ose financonte shkolla shtetërore. Por mënyra se si paratë hynin në llogarinë Alpha dhe personat përmes të cilëve kalonin tregonte se synohej të mbeteshin sekrete. Skema ngjante më shumë me një operacion të fshehtë dhe të paligjshëm, duke pasur parasysh se menaxhohej pjesërisht nga një këshilltar i lartë i presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Spiunët holandezë që monitoronin llogarinë Alpha vunë re se të gjitha transfertat vinin nga një bankë në Azerbajxhan, në dollarë amerikanë. Azerbajxhani ka një rol të veçantë në pastrimin e parave. Banka e tij qendrore mban rezerva të konsiderueshme në dollarë amerikanë, por vendi nuk zbaton standardet më të larta të transparencës bankare.
Si rezultat, bankat azerbajxhanase kanë praktika të konsoliduara, por jo të reklamuara, për të shërbyer si stacione ndërmjetëse për transferta të mëdha. Në këto transaksione, një valutë e huaj këmbehet me një shumë ekuivalente në dollarë.
Për një komision prej rreth 6–7% të vlerës së transaksionit, disa banka azerbajxhanase pranojnë transferta nga klientë që dëshirojnë të lëvizin qindra miliona dollarë në vlerë, në rialë sauditë ose dirhamë të Emirateve. Klienti saudit ose emiratas i dërgon paratë në bankën azerbajxhanase, e cila më pas përdor një llogari tjetër të brendshme bankare për të transferuar shumën ekuivalente në dollarë amerikanë drejt destinacionit të kërkuar nga klienti. Për auditorët, ky tregtim në hije është i pamundur të dallohet.
Një auditim sipërfaqësor, si ai që kryen holandezët duke monitoruar iPhone-in e Kushnerit, nuk zbulonte asgjë më shumë se një llogari bankare në dukje të lidhur me qeverinë e Azerbajxhanit, nga e cila dërgoheshin qindra miliona dollarë drejt një llogarie në Dubai. Por llogaria Alpha kishte një tjetër aspekt, të cilin holandezët nuk mund ta shihnin apo kuptonin, dhe që ndihmonte në zbulimin e qëllimit të vërtetë të parave.
Kushneri nuk ishte pronar i llogarisë bankare në First Abu Dhabi Bank. Ai ishte person i autorizuar për të kryer veprime në një llogari që zotërohej dhe administrohej nga një organizatë bamirëse e Emirateve.
Kur MBZ dhe MBS nisën të kontribuonin në llogarinë Alpha në vitin 2017, fondacioni Watani Al Emarat, një organizatë bamirëse e financuar nga qeveria e Emirateve, drejtohej nga Dherar Belhoul Al Falasi. Al Falasi ishte një teknokrat, anëtar i Këshillit Kombëtar Federal dhe mik i njërit prej këshilltarëve dhe miqve më të afërt të MBZ-së.
Për këtë arsye, Al Falasi dhe fondacioni Watani kishin edhe një mision të dytë. Organizata bamirëse përdorej si mbulesë për të lëvizur para në mbështetje të operacioneve të fshehta ushtarake dhe të inteligjencës së vendit jashtë kufijve të tij. Nën mbulesën e Watanit, Al Falasi ndihmonte në lehtësimin e programeve sekrete të Emirateve për blerjen e armëve, zbuloi një burim konfidencial me njohuri të drejtpërdrejta mbi programin e përhapjes së armëve të organizatës.
Sipas këtij burimi, emiratasit besonin se statusi i programit si organizatë bamirëse do të bënte që transaksionet e tij ndërkombëtare të kontrolloheshin më pak, duke shërbyer kështu si mbulesë e dobishme për financimin e luftërave të fshehta të MBZ-së dhe vëllait të tij.
MBZ-ja dhe Tahnoon e bënë Kushnerin person të autorizuar në llogarinë Alpha të Watanit. Në këtë cilësi, Jaredi kishte akses dhe, në teori, mund të kryente transaksione, por teknikisht llogaria nuk ishte e tij.
Një mënyrë për të kuptuar rolin e Kushnerit në llogarinë Alpha është ta imagjinojmë atë si drejtor të CIA-s. Nëse ai do të drejtonte një institucion qeveritar përgjegjës për administrimin dhe zbatimin e programeve të fshehta jashtë vendit, mbajtja e kësaj llogarie — me miratimin e presidentit dhe me njoftimin e Kongresit — do të ishte brenda përgjegjësive të detyrës së tij.
Por ai nuk ishte drejtor i CIA-s, një post që miratohet nga Senati dhe veprimtaritë e të cilit mbikëqyren nga Kongresi, të cilit i kërkohet të japë llogari. Përkundrazi, Kushneri mbikëqyrej vetëm nga vjehrri i tij, presidenti Trump.
Sipas katër zyrtarëve të lartë të administratës Trump — dy këshilltarë për sigurinë kombëtare, një shef i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë dhe një ish-drejtor i CIA-s — ata nuk kishin dijeni për ndonjë autorizim presidencial që i lejonte Kushnerit të kishte akses në një llogari bankare të një qeverie të huaj.
Megjithatë, avokatët e Kushnerit thanë se ai nuk kishte lidhur marrëveshje apo bërë rregullime me udhëheqës ose zyrtarë të vendeve të huaja që të mos ishin miratuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe që nuk ishin në interesin më të mirë të SHBA-së.
Pavarësisht nëse ishte person i autorizuar apo pronar i llogarisë, sipas rregullave të qeverisë federale dhe Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme të SHBA-së (IRS), Jaredi ishte i detyruar të deklaronte aksesin e tij në këtë llogari. Nëse nuk ishte deklaruar dhe miratuar nga qeveria amerikane dhe nuk ishte raportuar në deklaratat e tij tatimore, aksesi i Kushnerit në llogarinë Alpha mund të kishte shkelur ligjin amerikan.
Një avokat i Kushnerit mohoi që klienti i tij të kishte pasur dijeni ose lidhje me Al Falasin, organizatën bamirëse Watani apo një llogari bankare të Emirateve, duke deklaruar se ai kishte respektuar të gjitha kërkesat ligjore gjatë marrëdhënieve me qeveritë e huaja.
Përveç llogarisë bankare Alpha, MBZ derdhi para edhe në të paktën një llogari tjetër të destinuar për Kushnerin. Deri në pranverën e vitit 2018, princi i kurorës kishte transferuar rreth një miliard dollarë drejt Izraelit për llogari të Kushnerit, përmes Azerbajxhanit. Këtë do ta quajmë llogaria bankare Beta.
Nuk është e qartë se si kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mësoi për herë të parë rreth parave të MBZ-së për Kushnerin. Por një person i informuar për llogarinë Beta më tha se kryeministri e kishte nxitur Kushnerin që paratë të depozitoheshin në Bankën Qendrore të Izraelit, në një llogari që do të dukej si llogari qeveritare.
Nuk dihet se si i përdori Kushneri paratë që Emiratet depozituan në llogarinë Beta për të, por sipas personit që kishte njohuri për këto fonde, ato ishin parashikuar për përfitimin e tij personal. Ashtu si në rastin e llogarisë Alpha, mënyra se si administrohej llogaria Beta linte gjurmë domethënëse.
Banka Qendrore e Izraelit nuk administron llogari personale. Ajo mban dhe transferon vetëm fonde qeveritare. Llogaritë e qeverisë përdorin një sistem me dy çelësa, që kërkon autorizimin e dy personave për çdo transfertë, si mekanizëm mbikëqyrjeje. Netanyahu kërkonte që Kushneri ta informonte përpara se të kryente ndonjë transaksion nga llogaria Beta.
Për ta bërë këtë, Kushneri i përcillte mesazhet përmes ambasadorit David M. Friedman, i cili takohej shpesh me Netanyahun. Me paratë të depozituara në Bankën Qendrore, do të ishte e vështirë, në mos e pamundur, të lidhej pagesa e MBZ-së me Jaredin.
Nuk dihet nëse spiunët në Holandë kishin ndonjë dijeni për llogarinë Beta.
Ambasadori Friedman mohoi të kishte pasur dijeni ose përfshirje në ndonjë fond të Emirateve të vënë në dispozicion të Kushnerit, si dhe mohoi të kishte përcjellë mesazhe në emër të tij.
“Nuk di absolutisht asgjë për ndonjë prej këtyre pretendimeve”, tha Friedman. “Dhe pretendimet konkrete për mua ose për përfshirjen time të supozuar në këtë skemë të pretenduar janë 100% të rreme.”
Edhe avokati i Kushnerit tha se klienti i tij “nuk ka asnjë ide” për ndonjë llogari të tillë, duke këmbëngulur se “nuk ekzistojnë llogari të tilla dhe nuk kanë ekzistuar kurrë”.
Me sa duket, Kushneri përballej me vështirësinë e transferimit të parave nga llogaria Beta në Izrael drejt llogarive të tjera, ku mund të kishte akses të pakontrollueshëm në fonde. Një person që kishte punuar me Kushnerin për të nxjerrë paratë nga Izraeli tha se një pjesë e madhe e tyre shkoi në llogari bankare në Qipro, përpara se të transferohej diku tjetër.
Gjatë marrëveshjes së tij të fshehtë financiare me MBZ-në, Kushneri ndihmoi në negocimin e një llogarie të tretë, krejtësisht të veçantë.
Si pjesë e një afrimi diplomatik mes Izraelit dhe Emirateve, i cili në atë kohë mbahej sekret, Kushneri ndihmoi në negocimin e një marrëveshjeje sipas së cilës Izraeli do të ndihmonte në mbrojtjen e Emirateve nga një sulm i madh ushtarak iranian. Emiratet duhej të mbulonin koston e mbrojtjes emergjente, ndaj qeveria e tyre kreu fshehurazi një tjetër transfertë drejt Bankës Qendrore të Izraelit.
Kjo llogari ngjante me një fond mbrojtjeje për raste emergjente. Të marra së bashku, tri llogaritë përfaqësonin një politikë të jashtme sekrete të negociuar nga Kushneri me udhëheqësit e Izraelit, Emirateve dhe Arabisë Saudite.
Megjithëse posti i Kushnerit si këshilltar i lartë i presidentit ishte pa pagesë, ai ishte punonjës zyrtar i qeverisë. Pozicioni i tij kërkonte jo vetëm deklarime financiare në kuadër të rregullave të etikës, por edhe dorëzimin çdo vit të një formulari financiar publik dhe një formulari konfidencial, gjatë çdo viti që punonte në Shtëpinë e Bardhë.
Dokumenti njihej si Raporti Publik i Deklarimit Financiar për Personelin e Degës Ekzekutive, ose formulari i deklarimit 278e.
Për shkak se kishte akses në sekrete të klasifikuara qeveritare, Kushneri ishte i detyruar të deklaronte çdo llogari bankare ku kishte të drejtë nënshkrimi ose akses si përfitues.
Megjithatë, shkelja e mundshme e besimit publik nga Kushneri shkonte përtej mosdeklarimit të llogarisë sekrete Alpha në Emirate apo llogarisë Beta në Izrael.
Duke i dhënë akses në rreth dy miliardë dollarë, pavarësisht mënyrës se si do të përdoreshin paratë, MBZ-ja dhe MBS-ja po paguanin për ndikimin e tij brenda qeverisë amerikane. Çdo përpjekje e Kushnerit për të ndikuar në politikën amerikane në favor të një qeverie të huaj që i kishte dhënë para do ta shndërronte atë në një agjent të një fuqie të huaj.
Ligji amerikan kërkon që qytetarët që lobojnë në emër të një fuqie të huaj të regjistrohen si të tillë dhe të deklarojnë vendin në emër të të cilit veprojnë pranë Departamentit të Drejtësisë.
Një ish-prokuror që kishte punuar në hetimin e Muellerit tha se, nëse Kushneri i kishte premtuar diçka MBZ-së dhe MBS-së në këmbim të parave që ata i ofruan — edhe nëse bëhej fjalë vetëm për të folur me vjehrrin e tij — ai mund të kishte shkelur ligjet federale për ryshfetin, si dhe ligjin për agjentët e huaj.
Avokati i Kushnerit mohoi se klienti i tij kishte shkelur ndonjë ligj gjatë shërbimit në Shtëpinë e Bardhë.



