Vijojnë lëvizjet në administratën shtetërore pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve në varësi të ministrive.
Blerina Gjylameti, drejtuese e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), dhe Besmir Beja, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave, kanë dhënë dorëheqjen nga detyrat e tyre.
Lëvizjet vijnë pas kërkesës së Ramës drejtuar ministrave për dorëheqjen e drejtuesve të agjencive dhe institucioneve shtetërore, si në nivel qendror, ashtu edhe në rrethe.
Sipas raportimeve mediatike, procesi pritet të zhvillohet në dy faza. Fillimisht, drejtuesit do të dorëzojnë zyrtarisht dorëheqjet, ndërsa më pas do të analizohet performanca e secilit prej tyre.
Deri në përfundimin e procedurave, drejtuesit e prekur nga kjo nismë pritet të vijojnë të qëndrojnë në detyrë, sipas raportimeve.
Më herët, në kuadër të së njëjtës lëvizje, u raportua edhe për dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj.
Në total, procesi pritet të prekë mbi 130 drejtues institucionesh në nivel qendror dhe vendor. Deri më tani, qeveria nuk ka bërë publike detaje të plota mbi kriteret e vlerësimit dhe procedurat që do të ndiqen në vijim.



