Dr. Gajda: Ajo që po ndodh sot është në koherencë të plotë dhe një veprim krejtësisht proporcional i të rinjve

spot_img
Advertisements


Nuk kam qenë dhe as nuk jam për dhunë në mënyrën se si kërkohen gjërat për të ndrequr padrejtësitë. Vetëm se kjo tingëllon shumë e tjeshtë për tu thënë si intelektual, e vështirë për tu kuptuar si qytetar dhe e papranueshme si njeri.
Jam i bindur që protestat e ditëve të fundit janë vazhdim i natyrshëm jo vetëm i heshtjes së Qeverisë, jo vetëm i injorimit dhe talljes publike që ju bë protestuesve në më shumë se katër muaj, por e mos përpjekjes serioze të shumicës në pushtet për të kuptuar shqetësimin dhe mos veprimit konkret për të dhënë sinjale të qarta të ndreqjes së gabimeve.
Qytetarët i lanë kohë të mjaftueshme Qeversisë që të dëgjonte, të kuptonte, të vepronte dhe kjo nuk bëri asgjë për këto. Qytetarët e bënë këtë në mënyrën më paqësore të mundshme, aq sa u habitëm të gjithë se si mund të protestohej për kaq shumë kohë pa bërë asnjë dëm. Dhe tani, Qeveria shpreh habinë që përse protesta u bë e dhunshme!? Kjo nuk ka kuptim.
Për të kuptuar se pse dëgjimi dhe kuptimi mund të kishte parandaluar çfarë po ndodh sot, po jap vetëm një shembull, i cili lidhet me shqetësimin social kryesor që shoqëron sot protestën, atë të strehimit.
Që prej 10 vjetësh Parlamenti ka miratuar një ligj për strehimin social, i cili në parashikimet e tij ishte revolucionar. Sidomos, në lidhje me parashikimin që një përqindje e caktuar e ndërtimeve private që zhvillohen të mund të merret nga Bashkitë dhe të administrohet për banesa sociale, si në natyrë ashtu edhe në vlerë monetare. Nisur nga nevojat për strehim që ka Shqipëria dhe nga hovi i ndërtimeve që janë bërë në këto 10 vite, kjo politikë e parashikuar do kish qenë e mjaftueshme për të zgjidhur pjesën më të madhe të strehimit për familje në nevojë, familje të reja, të rinj në kushte jo të mira sociale dhe ekonomike, etj.
Vetëm se, si në shumë gjëra ky parashikim ligjor mbeti në letër. Sfidoj këdo që të më thotë sot, pas më shumë se 10 vjet ligj në fuqi, sa sipërfaqe kanë marrë Bashkitë nga ndërtimet private për strehim social, sa para janë mbledhur sipas parashikimeve, sa ndërtime sociale kanë bërë për strehim, sa janë shpërndarë aktualisht dhe sa janë akoma për tu planifikuar në vitet e ardhshme sipas lejeve që janë dhënë!?
Pyetja është retorike sepse asnjë analizë nuk është bërë, asnjë dijeni nuk ka, asnjë informacion nuk gjendet kudo që mund të kërkosh publikisht apo edhe duke ju drejtuar me shkresa institucioneve.
Nga ana tjetër, jo vetëm që parashikimi nuk gjeti zbatim, por dëgjuam kur ishte tërmeti i 2019 që vetëm në Tiranë ka mbi 50.000 apartamente që qëndrojnë bosh. Aktualisht mendohet që kjo shifër të jetë në 80.000. Gjithashtu, jo vetëm që nuk u shpërndanë por as nuk u mor asnjë masë konkrete se si ky arsenal apartamentesh të mund të gjente përdorim me ndërmjetësimin e Qeverisë dhe Bashkive të paktën për qira të favorshme dhe sociale për grupe të ndryshme shoqërore, psh. studentët në prag fillim viti akademik.
Jo vetëm që për këtë gjë as nuk pati ndonjëherë konsideratë, por çmimet fluturuan edhe më lart si në shitje ashtu edhe për qira. Është e drejtë kërkesa e të rinjve dhe studentëve që kostoja e tyre në këto kushte është e papërballueshme, s’kanë ç’bëjnë, s’kanë ku shkojnë, s’dijnë ku të futen.
E pra, studentët dhe të rinjtë e dhanë sinjalin e tyre që në 2018 ku me shumë urtësi dhe qytetari formësuan kërkesa konkrete të adresuara konkretisht mbi Qeverinë dhe njëra nga ato ishte strehimi i tyre për motive studimi. Paçka përçapjeve asgjë e ndjeshme nuk u bë. Para 5 muajsh të rinjtë dolën sërish në protestë, si e si për ti treguar Qeverisë që ka premtime të pambajtura dhe problemet e tyre janë thelluar, duke evidentuar edhe probleme të transparencës, të mjedisit, apo edhe të përdorimit të të mirave publike, por sidomos të pabarazisë sociale. Sërish Qeveria nuk begenisi. E pra, të rinjtë e provuan dhe Jezusin duke kthyer faqen në krahun tjetër për shkak të tërmetit edhe Gandin duke protestuar paqësisht, por Qeveria nuk dëgjoi dhe shumica nuk denjoi ta bënte Qeverinë që të dëgjonte.
Prandaj, ajo që po ndodh sot është në koherencë të plotë me çfarë është kërkuar me të gjitha mjetet e mundshme qytetare, dukë thërritur me të gjithë arsyen e pranueshme, duke duruar me të gjithë sfilitjen e mundshme. Siç duket respekti për institucionet e vendit u mor për dobësi, urtësia e të rinjve u mor për naivitet, siç duket të rinjtë duan ta prishin këtë kontratë shoqërore, pasi siç duket besimi është thyer përfundimisht.
Kur besimi midis shoqërisë dhe qeverisë thyhet, shoqëria ka gjithmonë të drejtë.
Në thelb, nuk është aq tragjike sa mund ti duket disave, që qeverisësit të japin dorëheqje dhe të qeverisurve ti jepet mundësia krejtësisht normale që të shprehen me votë.
Dy fjalë të fundit për disa institucione publike dhe shoqërore shqiptare.
Presidenti të mos lodhet kot me thirrje por të vazhdojë me përpjekjen e tij të pashtershme për ta bërë Institucionin e Presidentit inekzistent.
(O) pozita duhet të kuptojë që kështu si është aktualisht nuk bind askënd, prandaj duhet të kërkojë, të gjejë dhe të vendosë O-në që i mungon.
Policia e Shtetit duhet të përshtasë forcën e saj me atë që kërkohet, të shprehë profesionalizëm e mbi të gjitha humanizëm. Dhunën që kemi parë kundrejtë të rinjve duhet vetë Policia ta kallëzojë penalisht dhe të jetë palë në proces gjyqsor kundër atyre policëve që nxijnë figurën e mbrojtësit të rendit. Kështu mund të shpresojë të fitojë besimin e publikut. Policia e Shtetit të heqë civilët e saj nga sekuestrimi i personave dhe ti ketë të gjithë punonjësit të identifikueshëm.
Prokuroria duhet të mos presë për kallzime penale, pasi pamjet janë publike dhe duhet të tregohet proaktive në të kërkuar masa sigurie për të gjithë ato policë që tejkalojnë detyrën duke dhunuar dhe duke përdorur forcë joproporcinale kundër qytetarëve. Të gjitha rastet që kemi parë nëpër video, të gjitha rastet kur civilë që hiqen si policë sekuestrojnë njerëz, si dhe rastet e policëve me uniformë pa identifikim ligjor, të ndiqen penalisht dhe të vendosen para gjykatës. Kështu, Prokurorët mund të tregojnë që janë për zbatimin e ligjit jo vetëm kur qytetarët dërgohen në gjykatë por dhe kur ruajtësit e rendit shkelin haptas ligjin.
Avokati i Popullit duhet të ngrihet në lartësinë e duhur. Për këtë s’kam ç’të shtoj më tepër nga ajo që ka shkruar Avokati Dorian Matlija në një postim të tij të datës 16 Tetor.
Shoqëria Civile duhe të luajë rolin e saj si ndërmjetëse midis energjisë së të rinjve në protestë dhe nevojës që ajo energji vetë mos cenojë të drejtat e njeriut.
Për gazetarët s’kam ç’them përveçse këtë radhë janë ngritur në lartësinë që duhet të kenë.
Së fundmi, kolegëve të mi lektorë dhe profesore u them: duhet të pranojmë kokëulur që dhe ne nuk i kemi kuptuar të rinjtë dhe shpesh herë i kemi injoruar apo edhe përçmuar si të pazotë për përftuar dije. Me të njejtën përulësi duhet të mësojmë nga ato dhe të pranojmë leksione prej tyre.

Robert Gajda,
Lektor i Universitetit të Elbasanit.

spot_img

Latest articles

Related articles