Ndryshime në 105 nene penale/ Nga marrja e celularit tek heqja e burgut për dënimet nën 5 vjet

spot_img
Advertisements

Sot më 30 shtator 2026 kryeministri Edi Rama prezantoi Paketën e Re të Garancive Procedurale, një reformë e re ligjore nga Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me Këshillin e Europës, e cila synon ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale. Reforma e re prek rreth një të pestën e Kodit dhe përmban 105 nene, ndërsa kreu i qeverisë prezantoi disa prej ndryshimeve kyçe. Ndryshimet prekin masat e sigurisë, të drejtat e të pandehurve, personave në hetim, avokatët, prokurorët, vendimet e gjykatave si dhe kontrollin e telefonave dhe përgjimet. Por çfarë ndryshon konkretisht.

Redaksia sjell skedën e propozimeve në Kodin e ri dhe cilët përfitojnë:

1-Për veprat me dënimet maksimale nën 5 vite burg, nuk do të caktohet masa “arrest me burg”

Po ashtu, kur gjyqtari mendon se dënimi do jetë më i vogël se 3 vite burg, personat e dyshuar nuk do të lihen në paraburgim.

Sipas Kodit Penal në fuqi, vjedhja dënohet deri në 3 vjet burgim, falsifikimi i dokumenteve në varësi të formës, mund të jetë nën 5 vjet, plagosja e lehtë me dashje dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet, kanosja dënohet deri në 1 vit, prishja e qetësisë publike dhe dëmtimi i pronës po ashtu dënohen deri në 2 vute burg, hyrja në banesë pa leje dënohet deri në 3 vjet, si dhe drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt, në rastet që përbëjnë vepër penale dënohet më pak se 5 vjet. 

Me ndryshimet e reja personat që dënohen për veprat penale të përmendura më sipër nuk do të dënohen më me masën “arrest me burg”. Prokurori do të ketë detyrimin të hetojë edhe rrethanat që e shfajësojnë ose favorizojnë personin.

2-Marrja e të dhënave nga një celular i sekuestruar, do të jetë me vendim gjykate

Policia dhe Prokuroria mund të sekuestrojnë një pajisje, por hapja, kopjimi ose përpunimi i përmbajtjes së saj do të kërkojë autorizim të gjykatës.

Më parë, sekuestrimi i telefonit trajtohej si sekuestrim i një prove materiale, duke i lejuar organet e hetimit të kryenin ekspertimin dhe nxjerrjen e të dhënave. Pas standardit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese në korrik të 2025, për aksesimin, kërkimin, kopjimin dhe përpunimin e përmbajtjes kërkohet kontroll/autorizim gjyqësor, me përjashtimin e kopjes teknike urgjente për ruajtjen e provës. 

3-Transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave gjyqësore

Drafti i ri i Kodit të Procedurës Penale, parashikon transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore me kërkesë të të pandehurit ose viktimës

Aktualisht seancat janë në parim publike dhe media mund të ndjekë proceset, por transmetimi live nuk është lejuar, me përjashtim të momenteve të para në sallën e gjyqit. Më herët gjatë muajit prill 2026, ish-presidenti Ilir Meta, kryebashkiaku Erion Veliaj, ish.zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj i cili tashmë është në arrest shtëpie, kanë kërkuar që seancat gjyqësore ndaj tyre të transmetohen live, me argumentin se publiku duhet të ndjekë në kohë reale ecurinë e procesit. 

4-Çdokush që thirret si ‘person në dijeni’ ka të drejtën e avokatit

Konkretisht në Kodin aktual, e drejta e mbrojtjes ka qenë vetëm për të pandehurit. E drejta për të pasur avokat (mbrojtës) u njihej zyrtarisht vetëm kategorive të caktuara që kishin status procedural si palë në proces ose ndaj të cilëve zhvillohej hetimi.

5-Marrja në pyetje, do regjistrohet me zë dhe me figurë

6-Avokati mund të kryejë hetime, provat do të jenë të vlefshme njëlloj si të prokurorisë

Me ndryshimet e reja, mbrojtësi do të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të bëjë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë. Materialet e mbledhura prej tij do t’i paraqiten drejtpërdrejt gjyqtarit dhe do të vlerësohen me të njëjtat kritere ligjshmërie dhe rëndësie si ato të prokurorisë.

Në Kodin aktual, gjatë hetimeve paraprake provat merren nga organi që procedon, sipas nenit 151. Pra, avokati nuk ka aktualisht nuk mund të kryejë hetime dhe të mbledhë prova me të njëjtin status si prokuroria.

7-Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm

Sipas nenit 152 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata duhet t’i vlerësojë vetë provat dhe të argumentojë bindjen e saj pas shqyrtimit të tyre në tërësi.

8-Në qeli nuk do të dërgohen gratë shtatzëna, nënat me fëmijë nën 6 vjeç dhe baballarët që janë kujdestarët e vetëm të fëmijëve

Sipas Neni 476 – “Shtyrja e ekzekutimit të vendimit”, në pikën b thuhet se ekzekutimi i vendimit shtyhet kur e dënuara është shtatzënë ose ka fëmijë nën 1 vjeç, deri sa fëmija të bëhet 1 vjeç.

spot_img

Latest articles

Related articles