Gazetari Lavdrim Lita hodhi akuza dhe ngriti një sërë dyshimesh lidhur me marrëdhënien mes ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi.
I ftuar në emisionin Now në Euronews Albania, Lita tha se, sipas tij, Hyseni ishte vendosur në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror nga kryeministri Edi Rama me një detyrë të veçantë për kontrollin e grupeve kriminale.
“Është e ngarkuar me një detyrë tepër sekrete për kontrollin e grupeve kriminale dhe përmes një Don Zhuani…”, u shpreh Lita.
Duke iu referuar Agasit, gazetari pretendoi se ai mund të jetë përdorur nga SHISH për mbledhjen e informacioneve dhe për komprometimin e personave apo institucioneve të ndryshme.
“Sipas dyshimeve që kam unë, ky është një operacion tipik i shërbimit informativ për të komprometuar institucione, kriminelë, biznesmenë, politikanë, për t’i pasur nën kontroll”, deklaroi ai.
Lita ngriti gjithashtu pretendimin se instalimet e kamerave në ambientet e zyrës së Agasit mund të kenë qenë pjesë e një operacioni të SHISH.
“Të gjitha instalimet e kamerave në zyrën e Agasit janë instrumente të SHISH”, tha ai.
‘Në dyshimet që kam unë ky është një operacion tipik i Shërbimit Informativ për të komprometuar institucione, kriminelë, biznesmenë, poltikanë për t’i pasur nën kontroll. Ka një analogji, në ’87-’88-’89 Sigurimi i Shtetit infiltroi gjithë çunat e fortë të Tiranës. Mes këtyre bandave që veprojnë në Dubai ka informatorë të SHISH që japin informacion. Unë mendoj që Vlora Hyseni e ka përdorur në mënyrë të frikshme Agasin, ai ka vepruar për llogari të saj për të komprometuar të tjerë’, shtoi Lita.



