Nga Papa Luani XIV tek krerët e Kishave Ortodokse, Kryepeshkopi Joan merr urime

spot_img
Advertisements

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan, ka marrë urime dhe vlerësime nga primatë të Kishave Orthodhokse simotra me rastin e ditës së emrit.

Festimi i ditës së emrit të Kryepiskopit Joan u zhvillua më 26 shtator 2026 në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë.

Krerë të Kishave nga vende të ndryshme të botës i kanë përcjellë mesazhe urimi dhe vlerësimi për shërbesën e tij në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Patriarku Ekumenik Bartholomeu, në letrën e tij, vlerëson kontributin e Kryepiskopit Joan, duke e cilësuar atë si “atin e dhembshur shpirtëror” dhe “timonierin e urtë” në udhëtimin e Kishës. Papa Luani XIV në mesazhin e tij uron shëndet, paqe dhe gëzim shpirtëror

Njoftimi i plotë i Kishës Ortodokse

Festimit madhështor të ditës së emrit të Fortlumturisë së Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, më 26 shtator 2026 në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë, iu bashkuan edhe letrat e shumta me urime dhe vlerësime të dërguara nga primatë të Kishave Orthodhokse simotra nga mbarë bota.

Patriarku Ekumenik, Bartholomeu, me nderim të veçantë në letrën e Tij të urimit ndër të tjera shkruan: “Me ngazëllim zemre komunikojmë me Fortlumturinë Tuaj të nderuar, për të shprehur urimet e Kishës së Shenjtë dhe të Madhe të Krishtit dhe urimet personale me rastin e festës së nderuar të emrit Tuaj. Lavdërojmë Perëndinë e mrekullive, të plotpushtetshëm, Atë që sheh gjithçka dhe të shumëmëshirshëm, i Cili i dhuroi Kishës së Tij të Shenjtë Fortlumturinë Tuaj shumë të nderuar, atin e dhembshur shpirtëror; timonierin e urtë në udhëtimin e Kishës në botë drejt asaj ‘që nuk është e kësaj bote’, Mbretërisë së Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë; ruajtësin vigjilent të Traditave të Shenjta dhe të kulturës së Orthodhoksisë, në boshtin e së cilës është uniteti Perëndidashës dhe njeridashës. ‘Dashuria për Perëndinë dhe për njeriun, të pandara’. I lutemi Dhuruesit Qiellor të çdo të mire, që t’Ju falë shëndet të plotë, vite të shumta dhe frytdhënëse, gëzim shpirtëror dhe çdo bekim nga lart, dhe që ta forcojë Fortlumturinë Tuaj shumë të shtrenjtë për ne në shërbesën Tuaj të lartë dhe me përgjegjësi të madhe, për të mirën e popullit të Perëndisë që Ju është besuar prej Tij, të mbarë Orthodhoksisë dhe të gjithë botës”.

Urime të përzemërta Kryepiskopi mori edhe nga Primatët e Kishave simotra: Patriarku i Jerusalemit, Theofili III; Patriarku i Rusisë, Kirilli; Patriarku i Rumanisë, Danieli; nga Patriarkana e Gjeorgjisë; Kryepiskopi i Qipros, Gjeorgji; Kryepiskopi i Greqisë, Jeronimi II etj.

Papa Luani XIV në mesazhin e Tij të urimit, ndër të tjera shpreh: “Perëndia, Atë i plotfuqishëm t’Ju dhurojë shëndet, paqe dhe gëzim shpirtëror. Në këtë kohë të shënjuar nga konfliktet dhe dhuna, shpresoj që katolikët dhe orthodhoksët në Shqipëri do të vazhdojnë në rrugën e respektit reciprok, dialogut dhe bashkëjetesës paqësore, duke ndërmarrë projekte bashkëpunimi në fushat ku tani është e mundur të punohet bashkë, siç janë mësimi i besimit te brezat e rinj, mbrojtja e dinjitetit të qenies njerëzore dhe shërbimi ndaj atyre që kanë më shumë nevojë”. Mesazhin e Shenjtërisë së Tij, Papa Leon XIV, drejtuar Kryepiskopit Joan e përcolli Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë (Vatikanit) në Shqipëri, arqipeshkvi Miroslaw Adamczy, i cili shprehu urimet dhe vlerësimet e tij të larta personale për Kryepiskopin e Shqipërisë.

Letra urimi dhe vlerësimi dërguan mitropolitë dhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota Orthodhokse, ku shprehet vlerësimi i madh për shërbesën e Kryepiskopit Joan në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, “që fjala e Zotit të përhapet me shpejtësi dhe të triumfojë” në një botë e cila mundohet nga errësira dhe mungesa e jetës shpirtërore. Në to theksohet dashuria dhe uniteti ndërmjet Kishave motra Orthodhokse, si dhe urimi që hiri, paqja dhe dashuria e Zotit tonë Jisu Krisht, së bashku me lutjet e Apostullit të Shenjtë dhe Ungjillorit Joan Theologut, të jenë gjithmonë më Kryepiskopin Joan.

spot_img

Latest articles

Related articles