Faktin që Vlora Hyseni ra në rrjetën e SPAK rastësisht, teksa ishin duke hetuar dosjen e Ergys Agasit e ka konfirmuar edhe vetë drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Burime i kanë konfirmuar Report Tv se Klodian Braho ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit se drejtuesja e SHISH nuk ka qenë robjekt hetimesh por prokurorët e kanë hasur teksa ekzaminonin provat dhe ishin në ndjekje të çështjes tjetër.
Në fund të mbledhjes me dyer të mbyllura, Presidenca në një njoftim deklaroi se hetimi i institucioneve është i rëndësishëm, por kur bëhet fjalë për institucione të ndjeshme kujdesi duhet të jetë i shtuar.
“Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”, thuhet në njoftim.



