Rruga e Agasit: Oborri i pushtetit dhe krimi | ANALIZA

spot_img
Advertisements


Nga Erblin Vukaj


Ergys Agasi nuk ishte një sipërmarrës klasik që kërkonte dyert e politikës apo përkrahjen e krimit. Ai u rrit brenda një marrëdhënieje simbiotike mes të dyja këtyre botëve.

Si djali i Bardhyl Agasit, ish-deputet socialist dhe figurë me lidhje të hershme me ish-kryeministrin Fatos Nano, ai trashëgoi një kapital politik që më pas duket se e zgjeroi nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.

Karriera e tij kaloi nga strukturat e Lefter Kokës në Durrës, te kabineti i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas te roli informal i një njeriu me ndikim në qytetin bregdetar.

Në këtë rrugëtim shfaqen lidhjet e biznesit dhe afërsisë me Alqi Bllakon, ndërsa më vonë, sipas SPAK-ut, kontrolli mbi kompani, tenderë dhe zyrtarë publikë.

Agasi shfaqej rrallë në publik, por regjistrimet e gjetura në pajisjet e zyrës së tij e paraqesin si dikë që nuk kërkonte favore, por jepte urdhra.

Ai diskutonte fonde, ministra, policë dhe kompani, thoshte se “forca” ishin ata dhe kërcënonte se do të fuste në lojë “çunat” kur dikush si ish-ministrat Damian Gjiknuri apo Ilir Beqja bëheshin pengesë.

Në bisedat për tenderët, fondet publike trajtoheshin si kapitali i tij privat.

Në një prej tyre diskutohej hapur se një projekt me vlerë 2 milionë mund të tenderohej për 4 milionë.

Në të tjera flitej për informacione të marra nga brenda institucioneve, për përcaktimin e kritereve dhe menaxhimin e kompanive që do të përfitonin kontratat.

SPAK dyshon se Agasi dhe ortaku i tij Ermal Beqiri drejtuan një grup të strukturuar kriminal që manipulonte tenderët e AKSHI-t. Të paktën 19 procedura të shqyrtuara kishin fond limit rreth 5.9 miliardë lekë, afërsisht 59 milionë euro.

Kompania EA Solution (ironikisht Ergys Agasi’s Way!), e themeluar nga Agasi me kapital vetëm 1 mijë lekë, faturoi rreth 30 milionë euro ndaj kompanive që përfitonin fonde nga tenderët publikë.

SPAK dyshon se këto faturime ishin fiktive dhe se kompania shërbente si kanal për kalimin e parave drejt Agasit.

EA Solution deklaronte norma fitimi të pabesueshme. Në muajt e parë të aktivitetit, raportoi rreth 2.5 milionë euro të ardhura dhe mbi 2.3 milionë euro fitime, me një marzh rreth 96%.

Gjatë kontrollit, hetuesit nuk gjetën një kompani teknologjike që mund të justifikonte këto të ardhura, por punonjësit rekrutoheshin dhe trajnoheshin nga një kompani tjetër si Soft & Solution e Ermal Beqirit.

Ambientet, dokumentet dhe pajisjet i përkisnin kryesisht kompanisë së Beqirit, ndërsa administratorja formale e EA Solution nuk dinte të shpjegonte qartë projektet apo vendndodhjen e punonjësve.

Por skema, sipas SPAK-ut, nuk mbështetej vetëm te kriteret e tenderëve dhe faturat fiktive.

Kur sipërmarrësi Gerond Meçe, pronar i kompanisë ABS, kundërshtoi dhe i ankimoi disa nga procedurat tenderuese, ai dyshohet se u mor peng, u kërcënua dhe u detyrua të tërhiqej.

SPAK dyshon se rrëmbimi u organizua nga Agasi dhe Beqiri për ta larguar nga skema.

Një prej automjeteve të përdorura në pengmarrje lidhej me kompaninë “Merkaj 3”, të përmendur në dosje në kontekstin e lidhjeve me grupin Çopja në Elbasan.

Tregues të tjerë e lidhin Agasin me grupin Çela, qarkullojnë pretendime, ende të pakonfirmuara, se edhe Suel Çela i drejtohej atij me nofkën “Shefi”.

Por pushteti i Agasit duket se garantohej edhe nga kontaktet në Policinë e Shtetit.

Erjon Ismaili, atëherë zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës, shfaqet në takime dhe komunikime në ambientet e Agasit.

Ai u pezullua nga detyra si person nën hetim në dosjen e AKSHI-t, i dyshuar për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës dhe pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal.

Ndërsa Agasi u arrestua në shoqërinë e Uljan Shpatarakut, një ish-polic që ishte vetë në kërkim dhe që është përfolur për lidhje të forta me drejtues të Policisë së Shtetit, përfshirë Ilir Prodën.

Shpataraku u arrestua për përkrahje të autorit të krimit.

Dhe më pas vjen pyetja tjetër: Pse Agasi nuk u largua nga Shqipëria, siç kishte bërë Ermal Beqiri?

Ndoshta sepse Durrësi, vendi ku u kap, ishte kështjella e tij, territori politik, ekonomik dhe policor ku kishte nisur karrierën, ku kishte ngritur rrjetin e tij dhe ku mund të ndihej më i mbrojtur se jashtë vendit.

Burime të pakonfirmuara pretendojnë se gjatë korrikut ai është parë edhe në rezidencat qeveritare në Durrës.

Pa prova të pakontestueshme, kjo nuk mund të raportohet si fakt, por, pas hetimet kanë treguar për dyert që Agasi kishte të hapura në shtet dhe për këtë “ngujimi në rezidencat e shtetit” nuk tingëllon më si një skenar krejtësisht i pabesueshëm.

Ironia është se Agasi u arrestua pasi lëvizi nga Elbasani drejt Durrësit, një itinerar simbolik mes dy territoreve që shfaqen vazhdimisht në historinë e tij: ndikimit politik dhe lidhjeve të dyshuara kriminale.

Por rruga e Agasit nuk është vetëm historia e një aktivisti politik apo e një sipërmarrësi, që dyshohet se u kthye në drejtues të një grupi kriminal.

Ajo është edhe historia politike e një qeverie që e ngriti digjitalizimin si monument të suksesit të vet, ndërsa pas fasadës së tij, sipas SPAK-ut, tenderët paracaktoheshin, fondet fryheshin, konkurrenca eliminohej rreptësisht.

Kryeministri Edi Rama nuk e dënoi kurrë hapur këtë skemë, madje edhe pasi drejtoresha e AKSHI-t përfundoi në arrest shtëpie dhe Agasi e Beqiri u shpallën në kërkim, ai zgjodhi të mbronte bilancin e institucionit dhe ta paraqiste digjitalizimin shqiptar si një “histori suksesi”.

Ish-drejtoreshën Mirlinda Karçanajn e mbrojti si protagoniste të këtij suksesi, ndërsa zbulimet e dosjes i relativizoi si “çerek të vërteta”.

Prezumimi i pafajësisë është detyrim ligjor për individët, por ai nuk mund të përdoret si strehë politike për të shmangur përgjegjësinë mbi një institucion që varej drejtpërdrejt nga Kryeministria dhe administronte sistemet më të ndjeshme digjitale të vendit.

Nëse akuzat për “grupin Agasi” provohen, nuk do të kemi vetëm një histori korrupsioni. Do të kemi provën se një nga institucionet më strategjike të shtetit ishte vënë në dispozicion të interesave kriminale, ndërsa qeveria vazhdonte ta reklamonte si sukses.

Agasi tashmë është në pranga. Por sistemi politik që e prodhoi, e ushqeu dhe për vite nuk e pa, ose zgjodhi të mos e shihte, vazhdon të jetë në pushtet.

spot_img

Latest articles

Related articles