Prej ditësh emri i Grida Dumës është kthyer në një nga emrat më të përfolur në vorbullën mediatike e politike, mes zërave se ish-deputetja e së djathtës shqiptare do të bëhej pjesë e qeverisë Rama, madje në një prej posteve më të rëndësishme, si numri dy i kabinetit.
Përgjatë këtyre ditëve, emrit të saj ashtu si dhe ajo vetë e thotë, i janë bashkëngjitur edhe skenarë të ndryshëm, i është caktuar pozicioni, i është gjetur “sponsori” dhe “pazari”. E teksa ky lajm tanimë ka marrë “dhenë”, vetë ajo ka vendosur që të reagojë dhe të thyejë heshtjen.
“Flini të qetë”, ka qenë përgjigjja e Dumës për të gjithë ata që e kanë vendosur në skenarët e tyre politikë. Ajo e bën të qartë se nuk ka ndërmend t’i marrë vendin askujt dhe se nëse një ditë do të vendosë të rikthehet në politikë, vendimi do të jetë tërësisht i saji, dhe pikërisht nga “porta e saj”.
“Nëse një ditë unë do të kem vendimmarrjen time për të hyrë në politikë, do të hyj nga porta ime, nuk i bie portës së askujt për të hyrë në politikë dhe as nuk i pres këto ftesa-thirrje, sepse thirrjen në politikë e kam pasur dhe do ta kem gjithmonë vetë. Vendimi im për të hyrë në politikë do të jetë sepse unë kam diçka për t’i kërkuar Shqipërisë, sepse kam diçka për të ofruar në ato çaste Shqipërisë”, thotë Duma ndër të tjera.



