Kryeministri Edi Rama i është drejtuar publikut përmes një video live pas përfundimit të takimit me ministrat në Pogradec.
Rama përmendi dhe njëherë protestat që vijojnë të organizohen poshtë zyrës së tij në bulevard, ndërsa tha se shumë qytetarë e pyesin për deformimin që ka hunda e kryeministrit.
Ai hodhi poshtë të gjitha ‘akuzat’ se ky deformim ka lidhje me përdorimin e drogës, kryeministri tha se ajo është një shenjë që “i ka mbetur nga tentativa e pushtetit të Sali Berishës për ta vrarë gjatë viteve të para të demokracisë”.
“Kjo më ngjan shumë me ato jashtënxjerrjet e zakonshme të opozitës së vetëasgjësuar. Dua të mos harroni, Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë, kurrë më e vlerësuar ndërkombëtarisht, nuk ka qenë kurrë më e mbështetur në mundësi reale për të bërë më shumë dhe kjo ka një arsye… Ka herë pas here njerëz që merren me asimetrinë në hundën time. Falë kontributit të algoritmit që ka ndërmjetësuar qenien politike të Shqipërisë, vjen ajo ironia e mallit, e drogës, e shtrembërimit… Ky është shenja që trupi im do ta mbajë gjithë jetën nga një tentativë për të fshirë nga faqja e këtij dheu ku unë kam lindur, ku jam rritur dhe ku jam sot këtu, sepse këtë gjurmë nuk e kam nga ndonjë arsye tjetër. Edhe kur nuk kisha asgjë në dorë, doja një vend që të rrinte drejt. Doja të jetoja në një vend që të mos i bënte bijtë e vet të ulnin kokën kur i pyesnin: “Nga je ti?”. Është për këtë vend që unë mbaj këtë gjurmën këtu. Jeni përgjithësisht më të rinj sesa ajo histori dhe nuk jam këtu për të treguar historinë time. Nëse ka një histori timen që një ditë mund ta tregoj, është për gjërat që nuk arrita të bëj dot”, tha Rama.



