Një ngjarje e rëndë mësohet të ketë ndodhur këtë të hënë në Porto Palermo të Vlorës, ku dy persona kanë pësuar djegie të rënda në trup si pasojë e shpërthimit të motorit të një skafi.
Burime për mediat bëjnë me dije se dyshohet se shpërthimi ka ndodhur pas një rrjedhjeje apo përhapjeje të benzinës, e cila më pas është ndezur, duke lënë të plagosur personat që ndodheshin në skaf.
Sipas informacioneve paraprake, dy prej personave kanë pësuar djegie të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. Ata janë transportuar menjëherë për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilët po punojnë për zbardhur rrethanat dhe shkaqet e sakta të shpërthimit. Lidhur me këtë ngjarje deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga policia, priten më tepër detaje në vijim.
Himarë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:20, në Qendrën Shëndetësore Himarë janë paraqitur për ndihmë mjekësore 4 shtetas me djegie në pjesë të ndryshme të trupit.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se, gjatë riparimit të motorit të një skafi në Porto Palermo, shtetasit XH.I, 40 vjeç, A.O, 38 vjeç, M.M, 25 vjeç, A.D, 18 vjeç, kanë pësuar djegie, si pasojë e rënies në kontakt me lëndën djegëse benzinë.
Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.



