Dhuna e hapur në protestë dhe dhuna që nuk shihet në PS

spot_img
Advertisements

Skerdilajd Zaimi

Mjaftoi një incident në protestë – në ditën e 78-të të saj – që mediat pranë qeverisë së Heshtjes së Madhe, të rinisin sulmet dhe etiketimet gjithfarëshe. Fashizëm, rrugaçëri, ekstremistë e të gjitha këto. Po a nuk i dëgjuam dhe lexuam këto edhe në orët e para të protestës? Nga e njëjta xhandarmëri lajmesh?
Në një protestë masive, me vetëorganizim dhe nisur në rrethana krejt incidentale, ku tubohen grupe nga më të ndryshimit, e që rrugës patjetër përftojnë forcë dhe agjenda të difeerencuara, akte të tilla janë fiziologjike. Madje të pritshme. E çuditshmja është se në 78 ditë nuk kanë dalë në sy të publikuar gjëra që kanë të bëjnë me akuzat që dëgjojmë sot. Mund të kemi parë se për veprime të ndryshme të ketë patur qëndrime të ndryshme, si p.sh për aktet para parlamentit, por protesta si e tillë nuk e humbi objektivin kryesor dhe as trupin e saj. Dhe kjo është patjetër një risi që meriton vëmendje.
Këtu nuk po flasim për interesat dhe dilemat që natyrshëm mundojnë një pjesë të protestuesve që nuk po arrijnë ta shndërrojnë energjinë e investuar në aksion politik të strukturuar, por për sjelljen e pushtetit ndaj vetë aktit të protestës. E denigruar dhe relativizuar në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, sot protesta gjurmohet edhe në incidentin më të parë për t’u skualifikuar, asgjësuar si aksion qytetar. Pse? Pse vallë ka shqetësim edhe për këtë gjë?
Ka vetëm një përgjigje: Protesta me të gjithë përmasën e saj e ka plagosur më shumë se kushdo pushtetin me të gjitha të vërtetat e sajuara prej tij. Ajo për më tepër nuk po tretet, nuk po pushon, nuk po lodhet dhe as po nervozon askënd në Shqipëri. Veç atyre që janë në pushtet.
Megjithatë, për sa i takon aktit të dhunës, që duhej shmangur, mund të thuhet se në fund të fundit, ai është akt në bulevard, në terren aktiv njerëzish që dallojnë mes tyre. Dhe ai konflikt merr natyrë politike në protestë, aty ku edhe konsumohet. Po konflikti në Partinë Socialiste, në qeveri, për çfarë është? A di kush gjë? A di kush me siguri se cili është burimi i tensionit në partinë që qeverish Shqipërinë? Në një parti që supozohet të jetë demokratike, e hapur.
Askush nuk di gjë me siguri për atë parti, ku të gjithë vrasin të gjithë. Edhe sot, edhe tani; ku të gjithë janë në pritje të rënieje të një koke e ngritjes së një tjetre. E ku të gjithë heshtin. Cila karakteristikë i përgjigjet një kulture të tillë? Cili kult e justifikon këtë heshtje mortore? Le ta gjejnë përgjigjen ata që sot zhgarravisin dhe flasin për çdo gjë, veç asaj partie që qëndron në krye të çdo fatkeqësie që ka mbërthyer këtë vend.

spot_img

Latest articles

Related articles