Autoritetet franceze kanë arrestuar një violinist me origjinë shqiptare, i cili u kap duke transportuar 38.3 kilogramë kokainë të fshehur në automjetin e tij.
Sipas mediave të huaja, në pranga ka rënë shtetasi B. Bakalli., 45 vjeç, violinist profesionist dhe anëtar i Orkestrës Simfonike Victor-Hugo Bourgogne Franche-Comte. Ai u ndalua nga doganierët në pikën e pagesës në La Turbie, teksa udhëtonte drejt Italisë me një automjet tip Citroën C5 Aircross.
Gjatë kontrollit të automjetit, autoritetet konstatuan një hapësirë të dyshimtë nën tapetin e sediljes së pasagjerit. Pas kontrolleve të mëtejshme, u zbuluan dy hapësira të modifikuara në dyshemenë e automjetit, ku ishte fshehur sasia e kokainës.
Kontrolli vijoi edhe në banesën e 45-vjeçarit, ku autoritetet gjetën katër armë zjarri, mes tyre dy pushkë, një jelek antiplumb, qindra fishekë, si dhe 88,900 euro cash.



